Bashkëpunim të ngushtë për prosperitetin e shqiptarëve kudo që ndodhen
Me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Berisha i përcolli homologut të tij, Hashim Thaçi urimet më të përzemërta për një të ardhme sa më të ndritur të Republikës së Kosovës, për forcimin, zhvillimin e vrullshëm dhe modernizimin e mëtejshëm të saj. Kryeministri Berisha e konsideroi 17 shkurtin e vitit 2008 një ndër ngjarjet më të mëdha e më të adhurueshme në historinë e kombit, pasi ajo kurorëzoi në mënyrën më solemne e ngadhënjyese përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri kombëtare e dinjitet njerëzor.
"Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme, që, me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, t'Ju përcjell, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të çdo qytetari të vendit tim përshëndetjet vëllazërore dhe urimet më të përzemërta për të ardhmen më të ndritur të Republikës së Kosovës, për forcimin, zhvillimin e vrullshëm e modernizimin e mëtejshëm të saj dhe për lumturinë e prosperitetin e popullit të Kosovës.
17 shkurti i vitit 2008 përbën një ndër ngjarjet më të mëdha e më të adhurueshme në historinë e kombit tonë, pasi ajo kurorëzoi në mënyrën më solemne e ngadhënjyese përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri kombëtare e dinjitet njerëzor", thuhet në mesazhin e urimit të Kryeministrit Berisha. Ndërsa theksoi se 17 shkurti i vitit 2008 ishte shpërblimi më i lartë për të gjithë atdhetarët shqiptarë, që, me shpirtin e dashurisë e përkushtimit për komb, atdhe e flamurin kuqezi, derdhën ndër shekuj lumenj gjaku, mundi e djerse, shkrinë talentin, pasuritë, diturinë e urtësinë e tyre për liri. Kryeministri Berisha u shpreh se vepra dhe sakrificat e tyre lartësohen sot në altarin më të shenjtë të kombit, ku çdo shqiptar përkulet me nderimin e respektin më të thellë. "17 shkurti i vitit 2008 ishte shpërblimi më i lartë për të gjithë atdhetarët shqiptarë, që, me shpirtin e dashurisë e përkushtimit për komb, atdhe e flamurin kuqezi, derdhën ndër shekuj lumenj gjaku, mundi e djerse, shkrinë talentin, pasuritë, diturinë e urtësinë e tyre për liri.
Vepra dhe sakrificat e tyre lartësohen sot në altarin më të shenjtë të kombit, ku çdo shqiptar përkulet me nderimin e respektin më të thellë. Sot ne jemi të lumtur se Republika e Kosovës është shndërruar e po shndërrohet përditë e më shumë në një shtet modern, me institucione të konsoliduara e një shoqëri të lirë që respekton plotësisht të drejtat e liritë e qytetarit e minoriteteve, një faktor i rëndësishëm paqeje e bashkëpunimi në rajon dhe po ecën me vendosmëri drejt projektit madhor të integrimit atlantik", thuhet në mesazhin e Kryeministrit Berisha. Ai garantoi homologun e tij Thaçi se Shqipëria dhe qeveria shqiptare mbeten thellësisht të vendosura e të angazhuara për të punuar me Republikën e Kosovës e qeverinë e saj për ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta vëllazërore dhe të bashkëpunimit më të shkëlqyer, në dobi të interesit më të mirë të të dyja vendeve, të bashkimit kombëtar, të prosperitetit të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe forcimit të paqes, sigurisë, bashkëpunimit e miqësisë në rajon. "Duke Ju uruar edhe një herë nga thellësia e zemrës për këtë 5-vjetor të parë të Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin t'Ju ripohoj sigurimet e respektit e të konsideratës sime më të lartë", thuhet në përfundim të mesazhit të urimit të Kryeministrit Berisha me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.