DURRËS, 14 maj 2013- Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për portin e ri të peshkimit, në qytetin e Durrësit, financim i Bankës Islamike, në vlerën e 14.6 milionë dollarësh.
Baseni, me një sipërfaqe prej 13 ha, do të bëjë të mundur ankorimin e 130 anijeve peshkimi menjëherë.
I pranishëm në bashkëbisedimin e kryeministrit me biznesmenë dhe punonjësit e peshkimit ishte i pranishëm edhe ministri i Mjedisit Fatmir Mediu.
Berisha sulmoi kreun e Bashkisë Vangjush Dako, duke i kërkuar që të kërkojë falje që për gjithë këto vite bllokoi projektin.
“Jam shumë i impresionuar që jam sot tek ju ‘burrat e detit’, njerëzit e guximit dhe të sakrificës, vetëmohimit ndaj dhe dua tju shpreh ju nderimin tim më të madh dhe tu garantoj se së bashku do përcaktojmë në kuadrin e një plani kombëtar për peshkimin rregullat e mbështetjes tuaj, do dëgjoj me interes dhe vëmendje të gjitha sugjerimet se si ne këtë degë me potencial kaq të madh për ekonominë tonë ta vendosim në vendin që meriton. Një investim prej 14 milion eurosh që do të krijojë për flotën e peshkimit të Durrësit kushtet më normalet ë veprimtarisë tuaj. Kryetari i Bashkisë duhet të kërkojë të falur, se ua them haptaz ju se nuk do ishim takuar për të inauguruar fillimin e punimeve por përfundimin dhe ai e ka bllokuar në mënyrë të çuditshme dhe të paarsyeshme. Por, me ato motive që e bllokoi e zhbllokoi”, theksoi Berisha.
Berisha bëri me dije se pak ditë më parë në Këshillin e Rregullimit të Territorit u miratua edhe plani i rregullimit të Durrësit, i cili sipas tij do të shpëtojë qytetin nga betoni i kryebashkiakut socialist Vangjush Dako.
"Bashkë me këtë port u bë plani i rregullimit të Durrësit, plan i shkëlqyer aq sa ka mbetur nga betoni i Vangjushit, plani është hartuar nga një kompani shumë serioze. Kryetari na u kundërvu shumë se me ketë projekt kishim dhe tregun e peshkut, por ky e ka mendjen vetëm tek betoni. Sot me këtë infrastrukturë tregu i peshkut të Durrësit i shërben edhe Tiranës", u shpreh Berisha.
Berisha premtoi lehtësira për biznesin e peshkimit, duke deklaruar se do të zbresë taksën e portit në 1/10 e saj. “20 milion euro kredi të butë, cka do të thotë do jetë garanci shtetërore dhe qeveritare. Lidhur me naftën do iu rimbursohet akciza e naftës, e plotë. Ne do heqim TVSH për të gjitha materialet që përdorni. Taksa e portit absolutisht për peshkimin do të zbresë në 1/10 e saj. Nëse është 1 mijë do bëhet 100. Do kërkoj që anijet e peshkimit të kenë taksën 100 euro”, theksoi Berisha.
Gjatë bashkëbisedimit peshkatarët i kërkuan kryeministrit shkëputjen nga Ministria e Mjedisit me argumentin ‘se nuk ndihen të përfaqësuar’. “Na duket vetja sikur jemi ne kohen e Enverit” tha një peshkatar.
Berisha i siguroi peshkatarët se do rishikohet ligji, ndërkohë që premtoi se 4 vjecari i ardhshëm do jetë 4-vjecari i planit kombëtar për të ngritur fuqishëm sektorin e peshkimit.





