TIRANE– Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së qeverisë se gjatë 3-mujorit të tretë të vitit të kaluar rritja ekonomike e Shqipërisë ka qënë 2.7 për qind.

Berisha e ka cilësuar rritjen ekonomike të vendit një sukses të vërtetë, falë reformave dhe politikave ekonomike të ndjekura.

“Në këto vite të krizës vendi pati qëndrueshmëri ekonomike. Shqipëria renditet e katërta në botë për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët. Nuk mund të ketë tregues më të thellë qëndrueshmërie në kuptimin më absolut të fjalës sesa aftësia, suksesi i shndërrimit të rritjes në mirëqenie. Kjo dëshmon më mirë se çdo gjë tjetër për të gjitha reformat, politikat dhe suksesin e tyre. Atë pasuri që krijohet ta shndërrosh në rroga, pensione, rrugë, infrastrukturë”,- tha Berisha.

Kreu i ekzekutivit ka reaguar gjithashtu mbi deklaratat për taksat bërë një ditë më parë nga kryesocialisti, Edi Rama. Sipas Berishës me idenë e taksës progresive dhe agjencinë speciale për taksat, kreu i opozitës tenton politikën e rrjepjes së të pasurve. 

“Unë e dëgjoj z Rama një ditë thotë poshtë Koleka, një ditë thotë rroftë Koleka, e ka dajë, në fakt e ka, por nuk ka rëndësi, sepse e drejta e ndryshimit është e çdo njeriu, por u kthye prapë tek Koleka me taksën progresive. Ja kjo është politika sesi të shkatërrojë vendet e punës, ja pra kjo është politika dhe shumë interesante po ta ndjekësh këtë agjenci. Foli për agjenci speciale për taksat, për politikë të taksave të veçanta për të zhveshur të pasurit, për politikën e NEP-it, NEP-i ishte politika e rrjepjes e shkatërrimit të bizneseve”,- tha Berisha. 

Kryeministri theksoi se me idenë e taksave Rama vetëm sa synon të kthehet pas, ndryshe nga e djathta që ka sloganin, “Përpara!”. 

Një ditë më parë Edi Rama bëri të ditur se “qeveritarët e nesërm do të paguajnë më shumë taksa se sot; kush merr nën 200 mijë lekë nuk do të taksohet, kush merr 300 do taksohet 2% dhe jo 10%. Kryeministri do të jetë taksapaguesi më i madh në vend”.