DURRËS, 6 shtator 2013 – Zhurma e madhe që u bë në medie dhe nga politikanë të mazhorancës së re për repartin e Gardës në bllokun e Plazhit, ka detyruar Kryeministrin Sali Berisha që në mbledhjen e fundit të kujdeset për pronat e në përdorim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Kështu, doli një VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave) për shkëmbim trualli pa shpërblim midis një private dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare në zonën kadastrale të plazhit të Durrësit.durreslajm.com riboton tekstin e plotë të VKM-së.

Vendim i Këshillit të Ministrave, datë 5 shtator 2013, për shkëmbimin e një prone truall, me sipërfaqe 500 m², brenda zonës kadastrale 8518, Plazh Durrës, dhe për një ndryshim në Vendimin nr. 1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Këshillit të Ministrave, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”, të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, 5, 6, l0, 11, 13 e 14, të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, dhe të nenit 757, të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Shkëmbimin e pronës shtetërore, truall, me sipërfaqe 500 (pesëqind) m², regjistruar me numra pasurie 47/51 dhe 47/63, në zonën kadastrale 8518, në përgjegjësi administrimi të Këshillit të Ministrave dhe në përdorim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, me pasurinë truall, pronë private, me sipërfaqe 500 (pesëqind) m², regjistruar me numër pasurie 51/21, në zonën kadastrale 8518, në adresën lagjja 13, plazh Durrës, sipas planvendosjeve dhe kartelave, që i bashkëlidhen këtij vendimi. 2. Shkëmbimi i këtyre dy pronave të kryhet pa shpërblim apo kompensim mbi vlerën e tyre. 3. Shkëmbimi të realizohet nëpërmjet një kontrate shkëmbimi, e cila të nënshkruhet nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare me pronarët e pronës që shkëmbehet. 4. Pas shkëmbimit, pasuria truall, me sipërfaqe 500 (pesëqind) m², regjistruar me numër pasurie 51/21, në zonën kadastrale 8518, në adresën lagjja 13, plazh Durrës, të përdoret nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. 5. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme, bashkëlidhur vendimit nr. 1058, të Këshillit të Ministrave, hiqet pjesa e pronës, me numra pasurie 47/51 dhe 47/63 dhe shtohet prona me numër pasurie 51/21, të cilat përmenden në pikën 1, të këtij vendimi. 6. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Kryeministri Sali Berisha.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/