TIRANË, 13 mars 2013– Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot në çeljen e Panairit të Mobilierisë “Albania 2013”, organizuar nga Shoqata e Prodhuesve të Mobilierisë, në mjediset e Pallatit të Kongreseve ku dhe mbajti një fjalë përshëndetëse.
Sipas kreut të qeverisë, sot në Shqipëri numërohen rreth 1 900 biznese të tilla, ku 60% e zënë bizneset e mesme. Kryeministri theksoi se qeveria do të përkrahë biznesin e drurit duke hequr taksat për 3 vjet mbi cdo të punësuar të ri që bëjnë këto biznese.
“E vlerësoj këtë biznes për kontributin që jepet në punësimin e shumë personave. Industria e drurit e përpunimit të tij përbën një potencial të madh për vendin dhe ne së bashku jemi të vendosur të përcaktojmë kuadrin ligjor dhe lehtësirat maksimale që bëjnë të mundur zhvillimin më të madh dhe konsolidimin e mëtejshmë të konsolidimit të ekonomisë së vendit. Nesër këto biznese nuk do të paguajnë më tatimin mbi të ardhurat personale. Për të rinjtë e punësuar, shteti do marrë përsipër të gjitha detyrimet fiskale për 3 vjet, ky është një kuadër i ri ligjor që synon para së gjithash nxitjen për punësimin dhe mbi punësimin në Shqipëri”.
Berisha vlerësoi më pas dhe traditën e shkëlqyer që zotëron Shqipëria në gdhendjen e drurit, ndërsa shtoi se qeveria do të bëjë gjithçka dhe në kuadrin ligjor për eksportin e prodhimeve shqiptare.
“Shqipëria ka një traditë të shkëlqyer në gdhendjen e përpunimin e drurit, ka larmi të drurëve në pyjet e saj, ndër më të mëdhatë. Druri përbën produktin më të çmuar e dekorativ të mobilimit e zbukurimit. Do të bëjmë gjithcka për të krijuar hapësirën për eksportet tuaja, do bëjmë gjithçka që lënda drusore të kalojë nga sipërmarrjet tuaja në mënyrë që të shtohet me produkte dhe nënprodukte. Qeveria ka një dialog konstant me ju. Ne jemi të gatshëm të ulim përfaqësuesit tuaj, të dëgjojmë zërin tuaj, dhe sic kemi bërë dhe me sektorët e tjerë”.