Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku iu përgjigj pyetjeve të tyre, ku fillimisht u pyet për mbylljen e TikTok-ut.

“Akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe. Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë”, tha Berisha.

Më pas u ndal te vota e diasporës, për të cilën theksoi se do të jetë e sigurt dhe se demokratët po mbikëqyrin çdo element të procesit.

“Vota juaj do jetë e sigurt, ju garantoj juve. Ne po mbikëqyrim mbi bazën e ligjit çdo element të këtij procesi, ndaj dhe me lutjen time të ndërmerrni tani, përveç aplikimit që keni bërë për votim, të ndërmerrni një dialog me të gjithë shqiptarët që janë regjistruar, që të votojnë për shpëtimin e Shqipërisë nga narkodikatura e Edi Ramës. Të tjerë, që nuk janë regjistruar, të shfrytëzojnë çdo mundësi për të qenë të pranishëm në apelin e Shqipërisë më 11 maj. Shqipëria thërret çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ta ndihmojë atë”, tha Berisha.

Për Berishën, Rama e ka të sigurt humbjen më 11 maj. Sipas tij, kryeministri po përgatitet që të vijojë të qëndrojë kryetar i Partisë Socialiste.