Votojnë Presidenti Nishani dhe kryeministri Berisha
TIRANE, 23 qershor 2013 – Kryeministri Sali Berisha votoi në qendrën e votimit tek "Liceu Artistik" në Tiranë.
Pas votimit ai i ftoi të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime në mënyrë të qytetëruar, ndërkohë që garantoi paprekshmërinë e votës së qytetarëve.
“Këto zgjedhje janë përcaktuese për të ardhmen. Garantoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë se vota e tyre do të jetë e paprekshme. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që ditën e sotme ta kthejnë në ditë feste dhe jo dhune”- deklaroi kryeministri pas votimit.
Nishani: Apel për qetësi dhe maturi
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka votuar në oren 10.00 qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Cajupi” , shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta dhe djali i tyre, që voton për herë të parë.
Për presidentin e vendit, kjo eshte nje ditë tërësisht e qytetarëve.
“Ftoj shqiptarët të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile duke votuar masivisht, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit, komisionerët dhe administratën zgjedhore, duke respektuar rendin në gjithë vendin e qendrat e votimit”- tha Nishani.
Ai në mënyrë të veçantë ka uruar ata që votojnë për herë të parë, duke thënë se ata në familje kanë një votues për herë të parë, djalin.
‘U them, pacin dorën e mbarë për fatet e vendit”- tha Nishani.
Ai u ka bërë apel qytetarëve që të mos shënohen incidente.
“U bëj apel qytetarëve dhe u kujtoj që partitë dhe ideologjitë janë të ndryshme, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj është një. Qetësi, maturi, ne votojmë për parti të ndryshme por jemi të gjithë një, shqiptarë”- tha ai





