Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar ambasadoren e SHBA Yuri Kim se ka keqinformuar Departamentin amerikan të Shtetit për gjyqtarin Ardian Dvorani.
Berisha tha se Dvorani ka fshehur 80 mijë euro, ndërsa shtoi se duhet informuar qeveria amerikane për këtë rast, pasi sipas tij, nuk mund të shpallet një kampion në luftën ndaj korrupsionit, një person i cili është i përfshirë në korrupsion.
“Dvorani ka fshehur 80 mijë euro. E ka kapur DSIK. Kur ka dërguar fletën, nuk ka dërguar llogarinë rrjedhëse, por vetëm finale. Askujt tjetër nuk i është propozuar kjo. Nuk e çuan për ankimim fare në shkallën e dytë. Por, cili ishte Dvorani, kryetari i KED. Ai u soll aty si një bandit me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Këtu e kapi në flagrancë Komisioni i Venecias. Ai krijoi një krizë të madhe brenda vendit, se u përpoq që të merrte kandidaturën që i takonte presidentit të vendit. Në një akt të paimagjinueshëm, ai shpallet kampion botëror i luftës kundër korrupsionit. Nuk ka fyerje më të madhe se kjo. Ne si deputetë duhet të reagojmë. Ne duhet të informojmë të gjitha institucionet e SHBA për këtë akt. Duhet t’i shkruajmë Departamentit të Shtetit, kryetarit të Kongresit, presidentit Biden, nuk mund të fyhen shqiptarët në këtë mënyrë. Nuk mund të shpallet kampion korrupsioni ky. Po, çfarë është Dvorani? Një xhelat, prokurori i atyre që rrëzuan shtatoren e Stalinit në Shkodër dhe ka kërkuar gjer në 15 vite. Ç’e ka Yuri Kim këtë pasion për xhelatët e komunizmit? Edhe për këtë duhet të informojmë qeverinë amerikane dhe institucionet e tjera”, tha Berisha.
“Kjo nuk ndodh në një vend të botës, kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe kjo është vepër dizinformatash që guvernatorja i ka dërguar qeverisë së vet për këtë person. Dhe tani na vjen ky, që ka ndenjur 16 vite apo 15 vite, anëtar i Gjykatës së Lartë, tani na kthehet në gjykatës kushtetues. Asnjë votë nuk mund të marrë. Thuhet se një marrëveshje ishte realizuar, por unë ftoj çdo deputet, të mos bëjë gabimin e tmerrshëm të votojë këtë person. Ky e ka vendin në burg, për fshehjen e pasurisë, për gjykimet në konflikt interesi dhe shumë veprime të tjera. Për shkeljen e Kushtetutës kur ishte kryetar i KED-it. Të faktuara nga Komisioni i Venecias. Dhe ky sillet sot për ta votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese”, tha Berisha.