Turi i ish-Kryeministrit Sali Berisha për takimet që ai i ka cilësuar si “foltorja” do të zbresë sot në qytetin e Vlorës. “Foltorja” e Berishës do të mbahet në Pallatin e Kulturës, ku para kësaj ndërtese disa minuta para takimit janë mbledhur dhjetra mbështetës të Sali Berishës.
Ky është takimi i tretë që ish-Kryeministri do të zhvillojë me bazën e Partisë Demokratike, pas dy tubimeve të para që zhvilloi në Tiranë dhe Fier. ABC mëson se për të pritur Sali Berishën në Vlorë janë të pranishëm kreu i PD-së në këtë qytet Genc Deromemaj dhe deputeti Bujar Leskaj. Kujtojmë se ky i fundit pati edhe një përplasje me Lulzim Bashën pas përjashtimit që i bëri Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së. Po ashtu i pranishëm është edhe Bujar Nishani, edhe ky një zë kundër Bashës në PD.
Kujtojmë se Berisha ka kundërshtuar vendimin e Bashës për largimin e tij nga grupi parlamentar, duke e konsideruar atë “thikë pas shpine”, ndërsa ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Nga ana e tij Basha ka theksuar se nuk do të ketë asnjë mbledhje të Kuvendit Kombëtar të PD-së duke i refuzuar kështu Berishës mundësinë.





