Lajmi / Grupi i ri armiqësor, që sabotoi fitoren e PD-së më 23 qershor, Berisha nxjerr edhe bodigardët për të përgatitur terrenin e spastrimeve të ardhshme në parti. “E keqja e PD-së ka qenë klani Olldashi-Patozi”, ky është titulli i së përditshmes “Shekulli” të deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima, aq shumë të anatemuar nga Berisha, por ky i fundit e përdori kundërshtarin dhe ish-truprojën e vet Sali Lusha për të kumtuar lajmin se Sokol Olldashi dhe Astrit Patozi “kanë qenë puçistë”. Në këtë grup përfshihen dhe Ilir Rusmajli dhe Gjergj Bojaxhiu.

TIRANË, 10 gusht 2013 – Berisha si person nuk e meritonte humbjen pasi këtu kishte dorë një grup puçist që sabotoi fitoren e PD-së më 23 qershor, kryeministri nxjerr edhe bodigardët për të përgatitur terrenin e spastrimeve të ardhshme në parti me stilin e Enver Hoxhës. “E keqja e PD-së ka qenë klani Olldashi-Patozi”, ky është titulli i së përditshmes “Shekulli” të deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima, aq shumë të anatemuar nga Berisha, por ky i fundit e përdori kundërshtarin dhe ish-truprojën e vet Sali Lusha për të kumtuar lajmin se Sokol Olldashi dhe Astrit Patozi “kanë qenë puçistë”. Në këtë grup përfshihen dhe Ilir Rusmajli dhe Gjergj Bojaxhiu.

PËRMBLEDHJA

Gazetari i Shekulli-t Luis Tanushi ka intervistuar më 10 gusht 2013 Sali Lushën, ish-truprojën e Sali Berishës (shekulli.com.al/web/p.php?id=28470&kat=100). Lusha akuzon ministrin Sokol Olldashi dhe nënkryetarin e PD-së Astrit Patozi se me klanin e tyre kanë synuar marrjen e drejtimit të PD-së duke “prerë” në besë kryeministrin Berisha. Sipas ish-truprojës, Olldashi dhe Patozi kanë dashur humbjen e Bashës që në zgjedhjet vendore të 2011-ës për ta bllokuar në kandidimin për kreun e PD-së. Sa i takon garës brenda PD-së, Lusha shprehet se ai dhe familja e tij janë përjashtuar nga votimi nga Sokol Olldashi dhe Astrit Patozi, pasi i dinin bindjet e tij pro Bashës. Ai fajëson ministrat e qeverisë Berisha për humbjen e  thellë të PD-së në zgjedhje, duke theksuan se ministrat braktisën elektoratin që i soli në pushtet, ndërsa nuk mundon të lëshojë edhe akuza të ashpra ndaj Olldashit. Sipas tij, ministri Olldashi dhe klani i tij kanë shpenzuar paratë e rrugëve dhe të tenderëve nëpër kazino.

“ZËDHËNËS” JOZYRTAR

I rënë në grackën e gazetarit me pyetjen “Ti, si veprimtar për PD-në, që ke dhënë jetën familjen për PD-në, si e more vesh orientimin e PD-së [për të votuar Lulzim Bashën – “Durrah”-u]?”, Lusha zbulon pa dashje se është “zëdhënës” jozyrtar i Berishës: “Unë e kuptova se duhet të shporret një orë e më përpara Sokol Olldashi me Astrit Patozin”. I punësuari i Kokëdhimës ndihmon Lushën, me pyetjen “A e meritonte Berisha një humbje në këto zgjedhje?”, dhe i intervistuari jep përcaktimin: “Si Berishë jo, si qeveri po. U degjeneruan në masë. Këta 8 vjet ministra, ndërroji. Qeveria ishte më copë-copë. Elektorati e braktisi sepse e braktisi elektoratin”.

SUGJERIMI

Është Shekulli që sugjeroi se “kësaj i thonë që të dalin grupi puçist, Olldashi, Patozi?”, dhe ish-truproja përgjigjet serbes në emër të Berishës: “Po këta [Olldashi dhe Patozi – “Dyrrah”-u] kanë qenë puçistë dhe kanë qenë 100 për qind të sigurt që i fitonin zgjedhjet në PD. E gjithë e keqja e PD-së gjithmonë ka qenë klani Sokoli, Astriti, Rusmajli etj. Që është PD-ja në këtë gjendje, është vetëm puna e tyre. Unë po them që PD-ja është goditur vetëm nga këto koka. Sali Berisha në këto zgjedhje ishte i vetëm. Doli përballë i vetëm, kishte mbështetje dhe Jozefina Topallin. Ishin një klan që vetëm ka prishur punë qysh për kryetarin e Bashkisë Lulzim Bashës. S’kanë dashur që të fitonte Lulzim Basha. E bazoj sepse kam fakte të llojit të telefonave celularë. Meqë humbi Sokoli si kryebashkiak, Luli do të fitonte peshë sepse ajo kishte kosto për Sokolin se ishin 20 mijë vota. Gjithë puna ka qenë që PD-në ta merrte Astriti, Sokoli dhe klani i tyre”.

ZGJERIMI I GRUPIT

Gazetari i freskon kujtesën njeriut të Berishës për shtuar radhët e puçistëve me konstatimin: “Edhe Gjergji [Bojaxhiu – “Dyrrah”-u] u bë kritik ndaj PD-së”. Lusha kthjellohet: “Gjergji u bë me “lefta” shumë, a kupton. Gjergji e këta u ngopën me lekë dhe dolën kundërshtarë. Të gjithë këta që u pasuruan me Sali Berishën, i dolën kundër. Kanë bërë lekë marramendëse. U vetëkënaqën”.

Info / Durrës, ja si Berisha “shiti” Olldashin qysh më 28 maj

Më 28 maj 2013, në turin e tij elektoral, kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me anëtarë të shoqatës së transportuesve, në terminalin e udhëtarëve në portin e Durrësit (shih foton poshtë). Si në asnjë rast tjetër, Berisha është treguar transparent në sajtin e Kryeministrisë, teksa ka botuar gjerë e gjatë një procesverbal të bashkëbisedimit, ku tërheq vëmendjen bërja publike e kritikës së transportuesve ndaj Sokol Olldashit: “Kemi një fatkeqësi që ne nuk kemi ministri të transporteve, në Shqipëri, ka një ministri ankandi i druve, e kanë lënë transportin  në pikë të hallit. Shoqata jonë ka bërë 6 herë mbledhje, kemi ftuar ministrin e zëvendësministrin, dhe nuk kanë marrë asnjë masë për ne”. Ky ishte një paralajmërim se, sido që të ishte rezultati i 23 qershorit, Olldashi do të spastrohej. Shto këtu faktin se në këtë takim Berisha nuk kishte marrë me vete Sokol Olldashin, Ministrin që mbulon transportin detar. Si për ironi këtë terminal e kishte përuruar më 11 korrik 2012 kryeministri i shoqëruar nga ministri. Këtë fakt nuk e kanë komentuar mediet. E megjithatë, Olldashi hyri në garë për kryetar partie!

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/