Në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, ish-kryeministri Sali Berisha prezantoi programin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, duke premtuar një sërë masash për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit.
Berisha u shpreh para mbështetësve demokratë se, si pjesë e programit të tij, rrogat dhe pensionet do të dyfishohen dhe se do të vendoset një minimum jetik prej 200 eurosh për çdo pensionist, student dhe të papunë. Ai theksoi gjithashtu se organizatat kriminale do të vihen përpara ligjit, bashkë me ministrat që mbështesin ato.
“Ne do të ndërtojmë Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë më të bukur që kanë patur shqiptarët në historinë e tyre. Nuk do të punojmë me patronazhistët dhe ministrat që vjedhin, por me ata që numërojnë kafshatën dhe qajnë mjerimin,” tha Berisha, duke shtuar se do të rrisin rrogat dhe pensionet për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin në familjet shqiptare.
Ish-kryeministri i bëri thirrje qytetarëve për një Shqipëri të pasur, duke theksuar se do të vihen taksa më të ulëta për t’i mundësuar shqiptarëve që të begatohen dhe të pasurohen. Ai gjithashtu premtoi pastrimin e Shqipërisë nga korrupsioni dhe një qeverisje që do të kthejë pasuritë natyrore të vendit në përfitim për qytetarët.
“Zero tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë moto jonë. Auditi i përgjithshëm i narko shtetit do t’i kthejë shqiptarëve qindra miliona euro të vjedhura prej tyre,” theksoi Berisha.