Kryedemokrati, Sali Berisha është shprehur këtë të hënë se shqiptarët çdo muaj përballen me rritje çmimesh, 7 për qind më të shtrenjta se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.
Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Berisha thotë se vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është një hipokrizi që nuk indekson as inflacionin.
Sipas tij ka vetëm një zgjidhje, vendosja e minimumit jetik 200 Euro për person, për të cilin PD-ja ka dorëzuar projektligjin në Parlament prej muajsh.
“Sirenat e dhimbjeve të skamjes, urisë dhe varfërisë po bien në çdo qoshe në të katërt anët e vendit. Shqiptarët, çdo muaj, përballen me rritje çmimesh, ushqimet sot në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Itali, Greqi, janë përafërsisht sa në Gjermani dhe janë 7 përqind më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të BE. Rritja e çmimit të ushqimeve, sipas statistikave zyrtare, është 11.5 përqind, sipas statistikave reale është 13.5 përqind dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet me ndihmë ekonomike. Këto çmime, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, e bëjnë jetën në Shqipëri të papërballueshme. Unë mund t’u them se 48 përqind e totalit të pensionistëve shqiptarë, janë me pagesa të pjesshme. Kështu, në vitin 2022, nga 481.420 përfitues të pensionit të pleqërisë, 231.722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme. Vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është absolutisht një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët sesa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 përqind e ulët sesa vlera reale e inflacionit.
Në të gjitha aspektet, ka vetëm një zgjidhje emergjente dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët. Vendosja e minimumit jetik, e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigjia e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve. Në këtë kontekst, PD ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ajo do bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e kësaj ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm. Qëndrimi ndaj këtij ligji dhe ndaj minimumit jetik është një gur prove për të gjithë deputetët e parlamentit, është një akt me të cilin ata dëshmojnë ndjeshmërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë. Por është edhe një ndjesë publike që ata u kërkojnë shqiptarëve për dyfishimin, për rritjen stratosferike të rrogave të deputetëve, akt i cili nuk mund të paqtohet nëse nuk bëhen disa votime të rëndësishme në favor të qytetarëve. Vendosja e minimumit jetik prej rreth 200 Euro për person është një akt që financiarisht përballohet pa asnjë vështirësi. Përballohet vetëm duke reduktuar abuzimet dhe vjedhjet në buxhetin e shtetit”-thotë Berisha.