Tiranë, 4 nëntor 2013- Bllokimi i "pallatit të Bashës", ka bërë që të reagojë ish-kryeministri Berisha, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook. Pas një sërë akuzash të dhëna në drejtim të kryeministrit Edi Rama, Berisha e cilëson këtë si një akt banditesk të pashembullt.
"Të dashur miq, një akt banditesk shtetëror i pashembullt në Evropën e sotme po zhvillohet para kamerave televizive në Vlorë. Me urdhër të Edi Ramës, Policia në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, si një bandë socialiste, prej më shumë se 24 orësh ka rrethuar me shiritin e zonës së krimit një pallat në qytetin e Vlorës. Ajo nuk lejon banorët e pallatit të hyjnë në apartamentet e tyre ku banojnë dhe që i kanë të blera e hipotekuara në përputhje me të gjitha ligjet e vendit. Pallati është ndërtuar me leje, në prone private, me kredi bankare dhe është hipotekuar konform rregullave të shtetit.
Krimi i vetëm i pallatit është se njëri nga investitorët e tij ka qenë vjehrri i kryetarit të PD, kundërshtarit të Edi Rames, të cilin ky i fundit e urren për vdekje. Ndaj dhe dënon kolektivisht të gjithë banorët e pallatit. Kjo që ndodh me qytetarët e pallatit të rrethuar me shiritin e zonës së krimit dhe moslejimi i banorëve për të hyrë në shtëpitë ku banojnë, është dëshmi flagrante e shtetit policor të Edi Ramës, është kushtrim i vërtetë për çdo qytetar për tu ngritur ndaj akteve shtetërore banditeske me të cilat Edi Rama me urrejtjen e tij të papërmbajtur dhunon Kushtetutën e vendit, Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përdor antiligjin për të shkatërruar ligjin", shkruan Berisha.





