TIRANE- Në konferencën për bimët aromatike e mjekësore, kryeministri i vendit Sali Berisha vlerësoi zonat malore të vendit për pasurinë që kanë në këto bimë, ndërsa e vuri theksin tek kultivimi dhe përpunimi i tyre brenda vendit. Kjo, sipas kryeministrit do luftojë varfërinë në këto zona.
“Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Evropë për bimë aromatike dhe mjekësore, biodiversiteti i saj është i njohur dhe i jashtëzakonshëm. Bimët aromatike mjekësore rriten natyralisht apo kultivohen në zonën që përbëjmë edhe hartën e varfërisë së vendit, pra zonat malore. Në këtë aspekt përpjekja jonë përqendrimi ynë duhet të fokusohet tek këto zona, të luftojmë varfërinë atje ku ka pak tokë duke kultivuar këto bimë”, tha kryeministri.
Sipas tij, “Sipërfaqet me bimë mjekësore janë shumë e shumë herë më të mëdha se arat dhe livadhet, ju garantoj se qeveria është e vendosur për ta spostuar në një nivel më të lartë qëndrimin ndaj kësaj pasurie të madhe natyrore, nga e cila përfitojnë në tërësi familjet e varfra të vendit”, tha Berisha.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se qeveria që ai drejton do vazhdojë mbështetjen me forma të ndryshme për kultivuesit e këtyre bimëve.
“Është e domosdoshme dhe qeveria do vazhdojë të mbështesë me kredi me interesa të buta të gjithë ata që përpunojnë këto bimë në vend. Duke i përpunuar në Shqipëri rrisim vlerën e tyre në treg. Ju mbështesim me laboratorët më modernë që ju duhen për të gjitha llojet e certifikatave, për vërtetimin e cilësisë së tyre”, tha ai.
Duke vlerësuar boronicën e Kukësit dhe çajin e Zagorisë, Berisha tha: “Nuk ka vend më të pasur se ne në male, ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që të lehtësojmë, nxisim mbledhjen dhe përpunimin e tyre”.