Tiranë,11 nëntor 2013- Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot në rrjetin e tij social Facebook, për protestën e zhvilluar sot nga opozita kundër vjedhjes së votës në zgjedhjet e Korçës duke e cilësuar atë si një protestë madhështore dhe historike.
"Të dashur miq, sot dhjetëra e mijëra qytetarë, kishin mbushur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër vjedhjes së votës në zgjedhjet për Bashkinë e Korçës nga qeveria Rama – Meta. Kjo, ishte një proteste historike, sepse kurrë ndonjëherë në një afat kohor vetëm disa javë pas zgjedhjeve, opozita nuk ka mundur të organizojë një protestë kaq madhështore, që dëshmon revoltën e qytetarëve shqiptarë ndaj vjedhjes së votës së qytetarëve nga qeveria.Pjesëmarrja masive e qytetarëve dëshmon rritjen e shpejtë të pakënaqësisë së tyre ndaj qeverisë Rama- Meta. Një fillim i mbarë i rrugës së Partisë Demokratike drejt fitores së sigurt. Mirënjohje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë për aktin e tyre qytetar në mbrojtje të votës së lirë. Qytetare e qytetarë ne jemi në betejë. Le ta vazhdojmë në atë për të ecur të sigurt drejt fitores", shkruan Berisha.





