Itali, 23 gusht 2014 – Në momentet e lamtumirës së Balotellit, si për rastësi presidenti Silvio Berlusconi gjeti pak kohë nga axhenda e tij për t’ia përkushtuar skuadrës së zemrës. Optimizëm, futboll ofensiv dhe Pippo Inzaghi ishin kryefjala e padronit të kuqezinjve, gjatë vizitës në Milanello, ku mbërriti nga qielli me helikopterin e tij personal. Gjatë takimit 1 orësh me skuadrën dhe stafin teknik, Berlusconi u shpjegoi lojtarëve recetën e tij për një Milan triumfues.
“Djema, futbolli ka ndryshuar dhe nuk mund të konkurrojmë me sheikët, por nëse unë ju qëndroj pranë, nëse ndiqni udhëzimet e Inzaghit dhe nëse bashkë kërkojmë të bëjmë lojë të bukur, atëherë asgjë nuk është e pamundur”.
Me këto fjalë iu drejtua kavalieri lojtarëve, ndërkohë që nuk munguan edhe batutat e çastit. Berlusconi theksoi në vijim se grupi duhet të jetë i bashkuar në çdo moment dhe mbi të gjitha duhet të luajë me zemër për të arritur rezultatet e dëshiruara në fushë.
“Futbolli ofensiv është mënyra më e mirë për të reaguar”. Kjo ishte deklarata e fundit e Berlusconit para se të largohej sërish me helikopter, në këtë vizitë që synonte ngritjen e moralit te Milani i tij, që ende nuk e ka marrë veten pas sezoneve të fundit katastrofike.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





