Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndërruar me një minutë heshtje nga selia e PD, ish-kryeministrin italian Silivio Berlusconin i cili u nda nga jeta këtë të hënë.
Në fjalën e tij Berisha tha se Berlusconi do të kujtohet gjithmonë si italiani i madh dhe i pavdekshëm dhe mik i Shqipërisë.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Silvio Berlusconin. Silvio Berlusconi, italiani i madh dhe i pavdekshëm, themeluesi dhe udhëheqësi i Forza Italia, ish-kryeministri i shquar i Italisë, shtetari që lartësoi më shumë se kushdo tjetër, rolin e Italisë në Europë dhe botë, simboli i suksesit të inicativës së lirë, miku i madh i kombit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë.
Kombi mik italian është sot në zi dhe së bashku me të, miqtë e Silvio Berlusconit në mbarë botën. Silvio Berlusconi ishte një mik i madh dhe i çmuar i Shqipërisë, i Kosovës, i kombit shqiptar, i PD-së dhe i imi personalisht. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për kombin mik italian, është një humbje e madhe për forcat politike të qendrës së djathtë në Europë dhe në botë.
Është një humbje e madhe për Shqipërinë, Kosovën, të cilat ai i mbështeti dhe në momente kritike me vendosmërinë më të madhe. Rikujtoj shqiptarëve se 24 vite më parë, kur Kosova digjej në flakët me operacionit ‘Patkoi’, Luani i Apenineve udhëhiqte opozitën italiane. Por kjo nuk e pengoi të mbështesë qeverinë italiane të majtë të asaj kohe, në vendimin për të autorizuar përdorimin e bazave të NATO-s për bombardimin e regjimit të Millosheviçit. Në takime të shumta, që unë kam pasur me të në Itali, Shqipëri, Europë, kam ndjerë nga afër ndjenjat e tij më miqësore për shqiptarët, respektin e tij për kombin tonë. Me këtë rast, unë duke shprehur mirënjohjen time të pakufishme për miqësinë e tij ndaj meje, ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ndaj PD-së, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Berlusconi, miqve, të afërmve të Kavalierit të pavdekshëm.
Do ta nderoj këtu me një minutë heshtje, kujtim e pavdekshëm të mikut të madh, Silvio Berlusconi”, tha ai.