7 mars 2015 – Shtohen zërat për shitjen e Milanit nga presidenti Silvio Berlusconi. Protagonist mbetet investitori tajlandez Taechaubol, emri i të cilit u shfaq për herë të parë përpara disa javësh. Mediat italiane flasin për një takim sekret mes dy biznesmenëve. Për momentin nuk ka asnjë informacion por sipas asaj që shkruan "La Republica", palët kanë diskutuar për shitjen e 25 % të aksioneve të kompanisë me vlerë 250 milionë euro, ndërsa në 4 apo 5 vitet e ardhshme shoqëria do të kalojë gradualisht në duart e tajlandezëve.

Për momentin, roli i presidentit Berlusconi nuk do të ndryshojë, po ashtu edhe detyrat drejtuese të Barbara Berlusconi-t dhe Adriano Galliani-t. Në takimin e zhvilluar në Arcore ditën e enjte, Bee Taechaubol dhe Silvio Berlusconi kanë nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi që përshkruan termat e një marrëveshjeje të mundshme. Një hap i rëndësishëm që hap kapitullin e perëndimit të erës Berlusconi pasi gjatë viteve të fundit investimet kanë rënë ndjeshëm ç'ka po reflektohet edhe në ecurinë e skuadrës kuqezi. 250 milionë eurot e mundshme në arkën e klubit do t'i japin një dorë Milanit për t'u forcuar me elemente të reja duke nisur me ndryshimin në stol pasi kuotat e Vincenzo Montellas po rriten dita ditës. Ekipi do të përbëhet kryesisht nga lojtarë italianë por nuk përjashtohet mundësia e afrimit të disa të huajve, të cilët premtojnë ndryshimin e kapitullit. Dhe në këtë rrugë, Milani e ka hedhur hapin e parë të madh pasi afrimi i një aksioneri aziatik i hap rrugën tregut në kontinentin fqinjë.   

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/