Fitorja 4-0 e Monzës ndaj Leko në Serinë C padyshim ka gëzuar Silvio Berluskonin i cili sheh se ekipi i tij i ri po ecën i qetë drejt kthimit në Serinë B.
Diferencat mes skuadrave ishin të dukshme por Berluskoni ka nxjerrë në pah faktin se ai kishte kërkuar që të mos teprohej me golat në portën kundërshtare.
“Është e drejtë që nuk shkuam përtej 4-0. Lojtarëve të mi u thashë “boll”. I kam kritikuar edhe lojtarët e Milanit kur kanë mundur 6-0 Interin në derbi sepse nuk mund të turpërosh kundërshtarin, nuk është sportive”, tha ai para gazetarëve pas ndeshjes.
Ndërkohë, nuk munguan batutat për ish-skuadrën e tij, ndërsa fliste për merkaton.
“Më duket se kemi bërë disa blerje të mira. Më vjen keq për Suso të cilin Milani nuk duhej ta shiste. Nuk e dija në kohë se përndryshe nuk do ta linim të na ikte nga duart”, tha ai duke qeshur.





