Itali, 6 mars 2014 – Duket e pabesueshme por Milani mund të shitet. Lajmi i bujshëm vjen nga Amerika nga agjencia “Bloomberg”. Sipas saj, edhe pse nuk jepen shumë detaje, presidenti Silvio Berlusconi do të ishte i gatshëm të shiste klubin kuqezi, ku ka investuar për vite të tëra. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi nga “Fininvest”, shoqëria e Berlusconit, që kontrollon edhe Milanin.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i një zëdhënësi, i cili ka përjashtuar në mënyrë kategorike mundësinë e shitjes së klubit kuqezi, që sipas përllogaritjes më të fundit nga revista “Forbes”, ka një vlerë prej rreth 700 milionë eurosh.
“Bloomberg” insiston në versionin e saj se Berlusconi ka mandatuar shoqërinë “Lazard”, që Milanit t’i bëhet një rivlerësim. “Lazard” është e njëjta shoqëri të cilës i besoi edhe Massimo Moratti në transaksionin për shitjen e 70% të aksioneve të Interit te grupi në pronësi të manjatit indonezian, Erick Thohir. Ky operacion mesa duket është parë i suksesshëm nga ana e Berlusconit, i cili raportohet se mund t’i ketë dhënë shoqërisë “Lazard” të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për shitjen e Milanit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





