Ekonomia shqiptare vijon të shënoje ecuri pozitive, pasi rritja reale e saj ishte 3.8% në vitin 2025, ndërsa në tremujorin e parë të 2026 arriti në 3.7%.

Këto shifra bëhen të ditura nga BERZH në raportin më të fundit për muajin shtator ku thekson se zgjerimi ekonomik është mbështetur kryesisht nga administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe sektori i ndërtimit.

Sipas BERZH në muajt e parë të këtij viti, deficiti i llogarisë korrente ka vijuar të ngushtohet, pasi kontribut të rëndësishëm kanë dhënë të ardhurat rekord nga turizmi dhe remitancat e emigrantëve.

Rishikimi në rritje me 0.1% për vitin 2026, krahasuar me muajin qershor, pasqyron reformat dhe investimet që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në raportin e BERZH bëhet e ditur se investimet e huaja direkte kanë shënuar gjithashtu rritje, kjo pasi flukset hyrëse u zgjeruan me 11% në 3-mujorin e parë, me investimet të përqendruara kryesisht në pasuritë e paluajtshme dhe ndërmjetësimin financiar.

Ndërkohë, inflacioni mbetet një nga sfidat kryesore. Në korrik ai arriti në 3.4%, mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, i ndikuar nga rritja e çmimeve të transportit, ushqimeve dhe banesave.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, BERZH thekson se parashikimet flasin për një ngadalësim të rritjes ekonomike në 3.5% për 2026 dhe po në 3.5% për vitin 2027.

Nga ana tjetër, konkurrueshmëria, ndryshimet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë, të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme, mbeten ndër rreziqet kryesore për ekonominë shqiptare sipas BERZH.