Prej disa ditësh kanë nisur punimet për rikonstruksionin e pjesës fundore të shëtitores “Taulantia”, atë afër Sfinksit.
Mjetet e rënda dhe punëtorët e firmës zbatuese të projektit po çmontojnë bankinën e drunjtë buzë detit, si dhe po kryejnë të gjitha ndërhyrjet e tjera të nevojshme për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit të studios spanjolle të themeluar nga Ricardo Bofill.
Projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kap vlerën rreth 3.6 milionë euro.
Në ndërhyrjen që do të financohet nga BERZH planifikohet ndër të tjera ndërtimi i një dallgëthyesi dhe zëvendësimi i bankinës së drunjtë me pergolate betoni me lartësi mbi 2 metra.

Qëllimi i investimit është përmirësimi i aspektit viziv të kësaj hapësire publike, që frekuentohet në masë të madhe nga qytetarët durrsakë, në çdo stinë të vitit.
Rikonstruksionit të shëtitores “Taulantia” i ka dedikuar një postim mëngjesin e sotëm edhe kryeministri Rama, i cili shkruan në rrjete sociale:
“MIRËMËNGJES
dhe me këtë projekt të bukur të Bashkisë së Durrësit, konceptuar nga studioja e famshme spanjolle e themeluar nga legjendari Ricardo Bofill, që do ta transformojë këtë pjesë të shëtitores buzë detit në një hapësirë urbane shumë më tërheqëse, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së ofertës turistike të Portës së Adriatikut, ju uroj një javë të mbarë”,– shkruan Rama.
Kjo është ndërhyrja e tretë në shëtitoren “Taulantia” në harkun kohor të 5 viteve të fundit.
Boom-i turistik që Durrësi ka regjistruar vitet e fundit i ka nxitur autoritetet të hartojnë projekte për ta kthyer qytetin bregdetar në një destinacion gjithëvjetor turistik.
M.B.