Nga Armand Shkullaku

Besa Shahini mund të ishte larguar edhe kohë më parë nga kabineti i Edi Ramës. Ajo nuk ishte pjesë e Partisë Socialiste, as anëtare e organizatës së Rilindjes dhe as një personalitet me përvojë dhe i sprovuar në politikë apo në qeverisje. Besa ishte thjesht një eksperiment i kryeministrit, jo për të afruar Shqipërinë me Kosovën, po për të befasuar opinionin dhe vetë partinë e tij me përzgjedhje spektakolare, nga ato alla sulltan, që dëshmojnë fuqinë e të madhit për të ndryshuar fatet njerëzore brenda orës dhe njëkohësisht parëndësinë e personalitetit të oborrtarëve në raport me atë që duhet të adhurojnë.

Dhe kur efektet e befasisë avullojnë, shkrehet edhe interesi i liderit për “zbulimet” e tij të një kohe. Besa nuk ishte e vetmja që e përjetoi këtë ngrehje- shkrehje të Ramës. Në qeveri janë edhe disa ministra të tjerë, të cilët kryeministri thuajse i ka injoruar fare. Nuk komunikon me ta, nuk i përfill dhe madje i ka detyruar të marrin leje tek kabineti i tij për çdo veprim, madje edhe për emërime në punë. Besa Shahini, pjesë e të njëjtin eksperiment, thjesht mori guximin për të ikur.

Ministrja e Arsimit nuk ishte viktimë e racizmit të opozitës dhe as e paragjykimeve që shoqëria shqiptare paska për kosovarët. Besa Shahini bëri lajm dhe hapi një debat në opinion sepse refuzoi të mbetej një viktimë e Edi Ramës. Ajo e kuptoi se në atë detyrë nuk ishte se kryeministri vërtet kishte vlerësuar aftësitë e saj, por si një kapriçio e tij për të bërë shoë- politikë me origjinën dhe të panjohurën e emrit e saj. Pas kënaqësisë nga shprehjet servile të tipit “Ua i madh është ku i gjeti kta ministra! i fortë është që bëri kabinet me njerëz të panjohur fare”, Rama e ka quajtur të përfunduar eksperimentin e tij. Ministrja e Arsimit, e cila prej disa kohësh e kish kuptuar se përse e kishin vënë aty, pati kurajon t’i rikthehet jetës pa Edi Ramën.

Besa mundi ta bëjë këtë për faktin se nuk ishte rritur në prehrin e udhëheqësit duke e adhuruar atë pa kushte. Sepse ka mundësinë dhe aftësinë për të provuar sfida të tjera. Sepse, në një mjedis ku integriteti dhe dinjiteti njerëzor janë ekzekutuar prej kohësh, ajo nuk pati kohë ose refuzoi t’i nënshtrohej atij.

Në këtë kuptim, Besa Shahini nuk është viktimë e të ashtuquajturit racizëm ndaj kosovarëve. Ajo shpëtoi nga të qënit viktimë e një sistemi që promovon individë pa personalitet, servilë të nënshtruar dhe kopje të shëmtuara të Edi Ramës, si e vetmja mundësi për të bërë karrierë brenda organizatës. Për aftësitë e saj dhe ato që bëri në drejtimin e Arsimit në Shqipëri ka shumë kritika, por akti i dorëheqjes së një ministri ishte diçka që ishte harruar krejtësisht në këto anë. Besa iku vetë duke e forcuar kontrastin me ata që vazhdojnë të gjallojnë sipas humorit dhe tekave të liderit.

Dorëheqja e Besa Shahinit përbën lajm pikërisht sepse është një akt i munguar dhe se nxjerr në pah fenomenin e depersonalizmit të individëve në fuksion të forcmit të kultit të liderit. Ky është një problem tipik për shoqëritë me deficite demokratike, ku futet edhe Shqipëria edhe Kosova, por kurrë një problem mes Shqipërisë dhe Kosovës.