Ministria e Arsimit Besa Shahini, përmes rrjeteve sociale ka lajmëruar përfundimin e vitit shkollor. Shahini i ka uruar sukses nxënësve, të cilët ditën e nesërme kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore.

“Arritëm ta mbyllim këtë vit të vështirë shkollor, falë qëndrueshmërisë së nxënësve, durimit të prindërve dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të mësuesve tanë që brenda një kohë të shkurtër e përballën me sukses realitetin e krijuar nga tërmeti shkatërrues dhe pandemia vdekjeprurëse.

Mirënjohje të veçantë për secilin prej jush! Tashmë jemi në atë “fazën finale të maratonës” për maturantët tanë, të cilët ditën e nesërme kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore. Suksese të përzemërta secilit prej tyre në çdo provim dhe i dëshiroj gjithë të mirat në rrugëtimin e tyre jetësor.” – shkruan Shahini.