29 prill 2014 – Kosova mund ta sulmojë Turqinë e Senegalin me dy sulmues në formë të lartë. Fjala është për Ilir Azemin dhe Besart Berishën. I pari është i sigurt, por edhe i dyti ka gjasa ta veshë fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. Berishës ditë më parë për të disatën herë i është kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për t'u grumbulluar. Për këtë sulmuesi ishte shumë afër të thotë po, megjithëse duke kërkuar pak kohë për të marrë një vendim të tillë.

Mirëpo, gjërat nuk rrodhën ashtu si i parashikuan të dyja palët dhe 28 vjeçari ka negociuar me drejtuesit e futbollit kosovar. Ai u ka thënë atyre se nëse nuk ka ndonjë angazhim me ekipin e tij në Australi do t’i bashkohet Kosovës për dy ndeshjet miqësore të muajit maj me Turqinë e Senegalin. Lajmi konfirmohet nga një burim brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Besarti ka qenë në një situatë të vështirë. Dëshironte të luante për Shqipërinë, por nuk i doli ashtu. Ai ka menduar që kohën e lirë jashtë skuadrës së tij në Australi t’ia kushtojë Kosovës”,- njofton burimi.

Besart Berisha ka diskutuar me drejtuesit e futbollit kosovar dhe premtimi i tij është se mund t’i bashkohet Kosovës nëse nuk ka as më të voglin obligim ndaj klubit të tij në Australi.

“FIFA ka obliguar të gjitha shtetet që kampionatet kombëtare t’i kryejnë një muaj para fillimit të Kampionatit botëror. Edhe elita e futbollit në Australi është në përfundim dhe premtimi i Besartit është se nëse nuk ka obligime me klubin e tij mund të luajë në maj për Kosovën. Ne do të ishim të lumtur sikur ai të vinte”,- shtoi burimi pa dashur të japë detaje tjera.

Lidhur me Berishën ka folur edhe përzgjedhësi, Albert Bunjaki. “Si fillim duhet ta dimë se Besarti ka luajtur për Shqipërinë. Në bazë të deklaratave, Shqipëria atë e kërkon me çdo kusht për Kampionatin evropian. Lojtarët që i takojnë një kombëtareje tjetër ne nuk i prekim derisa të pranohemi. Mirëpo, nëse një futbollist shpreh dëshirën për të luajtur për Kosovën ne nuk ia mbyllim dyert”,- pohoi Bunjaki.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/