29 mars 2014 – Berisha mban rekordin për tregolwshin më të shpejtë në historinë e futbollit australian dhe tashmë edhe atë të 3 kartonëve të kuq në të njëjtin sezon. Futbollisti i Brisbein, ka thyer një rekord unik të A-League, duke u bërë futbollisti i parë në historinë e këtij turneu që ndëshkohet me karton të kuq tri herë brenda të njëjtit sezon, për më tepër duke luajtur vetëm 16 ndeshje. Por Berisha qartësisht nuk e dëshironte një rekord të tillë në CV-në e tij dhe këtë e tregoi duke shpërthyer në lot në fushën e lojës. Edhe pse shokët e tij të skuadrës, por edhe kundërshtarët, vrapuan ta ngushëllonin, sulmuesi shqiptar vazhdoi të përlotej, duke bërë që i gjithë stadiumi ta përshëndeste atë me duartrokitje ndërsa largohej i mërzitur drejt dhomave të zhveshjeve.Berisha është shquar gjatë këtyre viteve si një gjahtar golash në Australi, duke qenë që tani golashënuesi i 4-t në historinë e të gjitha kohëve në kampionat. Por futbollisti shqiptar dallohet edhe për karakterin e tij të nxehtë, që e ka bërë shpesh viktimë të ndëshkimeve nga gjyqtarët në Australi. Kjo përballje i takoi javës së 25-të të A-Ligës, ndërsa Berisha u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq në minutën e 49-të pas një ndërhyrjeje të rrezikshme në portierin mik Tando Velafi. Ai zgjati këmbën më shumë sesa duhej dhe pati një kontakt fillestar me topin, por e goditi portierin e Melbournit në kokë. Velafi mbeti i shtrirë dhe arbitri Kris Beath pa hezitim nxori kartonin e kuq për t’i bërë edhe më të pakënaqur mbi dhjetë mijë tifozë në tribuna. Kur Etriti u largua nga fusha, rezultati ishte 1:1. I shqetësuar, ai ra në gjunjë para se të duartrokitej dhe më pas u largua nga fusha i përlotur. Kujtojmë se në fund të këtij edicioni futbollisti do t’i bashkohet ekipit Melbërn Viktori. Ai ka qëndruar për disa minuta me kokën poshtë dhe megjithëse po e ngushëllonin edhe lojtarët kundërshtarë, përsëri nuk po arrinte të përmbahej nga lotët. “Mendoj se ishte një vendim i gabuar dënimi i Berishës. Besarti e pa rastin e vet ndaj u zgjat për topin dhe ai e preku topin. Ishte rast për gol, ndaj Etriti po ndihet sikur e gjithë bota është kundër tij”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Brisbanit, Majk Mulvei. “Ne do të ankohemi, sepse po të studiohet mirë ky rast, do shihni se arbitri nuk ka marrë vendimin e drejtë”. Për Berishën kjo ishte ndeshja e parë pas rikthimit nga pezullimi prej një ndeshjeje, meqë ishte ndëshkuar me karton të kuq në barazimin 1-1 kundër Sidneit (14 mars). Gjithashtu është përjashtuar edhe në barazimin pa gola kundër Perth Glorit në muajin janar, pas dy kartonëve të verdhë. Me gjithë ankesën e trajnerit Mulvei, Berisha pritet t’i mungojë Brisbanit për ndeshjen e ardhshme që e luan në transfertë kundër skuadrës Uestern Sidnei Uanderers. “Berisha është shumë i pafat, por duhet të tregohet paksa më i kujdesshëm! Kjo nuk është hera e parë”, tha trajneri i Melbërn Hart, Xhon Ship.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





