Turqi, 25 maj 2014 – Klubi i famshëm turk, Beshiktash, është gati të japë mbi dy milionë euro për të blerë kartonin e futbollistit të Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe. Lajmi i bujshëm ka bërë dje xhiron e mediave helene, të cilat u referohen burimeve të sigurta pranë klubit të PAOK-ut. Mesfushorit i mbeten edhe tre vite kontratë me skuadrën selanikase dhe gjithçka është në dorë të presidentit Ivan Savidis. Sipas të përditshmes prestigjioze greke “Goal Day”, presidenti i PAOK-ut kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja e shqiptarit.

Mirëpo, pas ardhjes së trajnerit të ri, Angjelo Anastasiadhis, nuk do të jetë e lehtë që Kaçe të lihet i lirë. “Mesfushori është në planet e trajnerit të ri dhe gjasat janë që të mos lëshohet, të paktën edhe për një sezon. Gjithsesi, turqit janë gati të japin më shumë se dy milionë euro për të blerë kartonin. Në klub nuk japin sqarime për këtë ofertë, por është fakt se Beshiktashi po insiston për shërbimet e shqiptarit. Kaçe është kthyer në një nga futbollistët më të rëndësishëm të PAOK-ut, për më tepër në një beniamin të tifozëve selanikas”, – shkruante gazeta më e madhe sportive në Greqi.

Ndërkohë, nuk është hera e parë që përflitet për interesimin e turqve për Kaçen. Skuadra, e cila drejtohet nga Slaven Biliç, ka më shumë se një vit që e ndjek mesfushorin 20- vjeçar. Negociatat kanë kohë që kanë nisur mes klubeve, madje kjo konfirmohet edhe prej mediave turke, të cilat kanë shkruar për synimin që ka Beshiktashi, që në muajin qershor të vitit të kaluar. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet në ditët në vijim, por sipas mediave greke, te PAOK-u janë në një dilemë të madhe, për ta lënë ose jo të lirë “xhevahirin” e tyre.

Kaçe është titullar i padiskutueshëm dhe, pas problemeve që pati vitin e kaluar, roli i tij në skuadër u forcua së tepërmi. Por, për shërbimet e lojtarit shtatshkurtër interesohen në të njëjtën kohë edhe disa klube në Europë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/