Teuta arriti të marrë një pikë me shumë vlerë në frymën e fundit të ndeshjes, falë golit të Mario Beshirajt në minutën e 95-të. Sulmuesi durrsak u shfaq vendimtar, duke shpërthyer gëzimin në tribunat e stadiumit “Niko Dovana”, aty ku tifozët nuk reshtën së mbështetur skuadrën deri në sekondën e fundit. Autori i golit të Teutës u shpreh se karakteri dhe forca janë ato që e bëjnë këtë skuadër të mos dorëzohet deri në fund.
Mario, sa vlera merr pika kur shënon në minutën e 96-të?
Ky barazim i vonë nuk është thjesht një pikë në tabelë, por një dëshmi e karakterit të skuadrës dhe vendosmërisë për të mos u dorëzuar asnjëherë. Një gol i tillë në minutat shtesë kthehet në motivim për grupin dhe në mesazh për kampionatin. Teuta lufton deri në fund.
Sa ndikoi lodhja në perfomancën e ekipit pasi keni zhvilluar tri ndeshje brenda një jave?
Normalisht që lodhja ndikon, sepse kemi zhvilluar tre ndeshje brenda tetë ditëve. Është një ngarkesë e madhe për çdo skuadër. Megjithatë, djemtë treguan karakter dhe nuk e ulën ritmin deri në fund. Këto situata na ndihmojnë të rritemi dhe të mësojmë të menaxhojmë më mirë energjitë tona.
Ai ishte barazimi rezultati më i drejtë?
Mendoj se ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat. Kishte momente ku ne ishim më mirë, por pati edhe raste kur kundërshtari krijoi rrezik sidomos në 45 minutat e para. Në fund, barazimi mund të quhet rezultat i drejtë, edhe pse gjithmonë dëshira jonë është të marrim maksimumin. Ajo që më gëzon është reagimi i skuadrës deri në minutën e fundi.
Sa ju çliron ju personalisht ky gol, pas disa momenteve jo?
Pa dyshim që po. Pas disa momenteve jo të lehta në lojë, gjetja e golit në fund ishte një çlirim i madh për të gjithë. Ky gol na dha shpirt, na dha besim dhe tregoi se duhet të luftojmë deri në sekondën e fundit. Është një ndjesi që të motivon edhe më shumë për ndeshjet e ardhshme.
Dueli i radhës ndaj Elbasanit, si e shihini?
Sfida me Elbasanin është e rëndësishme, sepse përballemi me një rival direkt dhe gjithmonë këto përballje kanë peshë të veçantë. Ne e respektojmë kundërshtarin, por do të hyjmë në fushë për të bërë lojën tonë dhe për të kërkuar maksimumin. Çdo ndeshje është e vështirë, por kemi besim se me përqendrim dhe mbështetjen e tifozëve tanë mund të marrim rezultat pozitiv.
Ju kënaq një pikë në këtë duel?
Ne gjithmonë hyjmë në fushë për të fituar dhe nuk mendojmë për barazimin si objektiv. Sigurisht, çdo pikë ka vlerën e saj, por synimi ynë është maksimumi. Do të japim gjithçka në fushë për të marrë fitoren, pastaj fusha do të tregojë se çfarë kemi merituar.





