Mario Bershiraj është heroi i Teutës. Goli i tij i tretë me durrsakët, kundër Tiranës, u dha atyre qëndrimin në kategori. Si “ish”, nuk festoi, ndërsa në një intervistë sulmuesi tha se do të kishte dashur të shënonte më shumë rrjeta të tundura në këtë sezon.

Një gol i “rëndë”, ai i së shtunës…

Të them të vërtetën, për vetë faktin që bëra gol shumë të bukur, i cili na mbajti në kategori dhe nuk festova, tregon shumë. Të dy ekipet ishin në një pozicion të vështirë dhe luanin për mbijetesën. Mua më erdhi keq për Tiranën edhe pse ky ekip nuk është për të ardhur keq. Unë jam profesionist për të bërë punën time. Përsa i përket mosfestimit, unë kam luajtur me akademinë. Si profesionist, kam debutuar me Tiranën, jam rritur në atë ambient. Kam kujtime të bukura, por në të vërtetë nuk është se mund dha shumë mundësia, që unë të tregoja potencialin tim. Jeta vazhdon, ashtu si futbolli dhe Tirana që sheh përpara. Hakmarrje nuk ka. Unë me veten time kam bërë paqe dhe s’kam përse të hakmerrem ndaj dikujt. Unë futem në fushë dhe bëj atë që duhet të bëj, paçka se kë kam përpara, Tiranën apo ndonjë skuadër tjetër.

Si profesionist bëre detyrën. Shënove një gol, i cili mbajti Teutën në kategori dhe çoi shumë poshtë bardheblutë…

Në dhjetë takimet e fundit, ky ka qenë qëllimi i Teutës, për vetë faktin që kampionati shkoi në një mënyrë ku nuk dihej se kush do të binte. Le të themi, që me këtë fitore ne arritëm objektivin.

Si e sheh sezonin tuaj mes Kukësit dhe Teutës?

Një sezon mjaft i mirë në aspektin profesional, sepse kam fituar një pjekuri shumë të madhe dhe jam rritur, profesionalisht.

Beshirajn, ku do ta shohim vitin tjetër?

Unë jam në kontratë me Teutën dhe besoj se do të vazhdoj në Durrës. Gjithsesi, merkatos nuk i dihet.

Çfarë do të kishte bërë më mirë këtë sezon?

Ashtu siç nisi, ishte pak e vështirë, pasi te Teuta erdha në janar dhe këto lloj lëvizjesh janë pak delikate. Duhet të përshtatesh. Ekipi kishte ulje-ngritjet e tij, por sulmuesi matet me gola. Më shumë rrjeta duhet të kisha shënuar dhe të shfrytëzoja pak më mirë rastet që kam pasur në dispozicion.