25 dhjetor 2013- Në mesnatë, mijëra besimtarë katolikë u mblodhën në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, për të kremtuar momentin e rëndësishëm të kalendarit kristian. Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkvi Metropolit i Dioqezës Tiranë-Durrës, i cili uroi të gjithë besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe dashuri me njëri-tjetrin.  

“Forca e vërtetë dhe e shenjtë është forca e dashurisë. Ajo që na bën të bëhemi të vegjël e të dobët, ajo që na shtyn të zemë vendin e fundit dhe të zbulojmë bukurinë e shërbimit. Në këto Krishtlindje duhet të kërkojmë hyjin e fort te njerëzit, që sipas logjikës së botës, janë të dobtit, të sëmurët, të miturit, të pambrojturit, të burgosurit, të përjashtuarit nga shoqëria dhe të mënjanuarit nga ne”, tha në mesazhin e tij të urimit, Imzot Rrok Mirdita. "Krishti është princi i paqes, deklaroi ai, është paqja e besimit në dashurinë shpëtimtare të hyjit".   Edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Anastas, uron përmes një mesazhi të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Krishtlindjes. “Në epokën tonë flitet shumë për dinjitetin e njeriut, por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore është ajo që mbizotëron në Krishtlindje. Se biri i Perëndisë u bë njeri. Gjithashtu, Krishtlindja na zbulon se Krishti erdhi të na transmetojë një jetë më të lartë, që shtrihet në përjetësi. Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate, që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës”. 

Besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjen 

Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët ortodoksë kanë mbushur Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, për të festuar një prej ditëve më të shënuara në kalendarin kristian, Lindjen e Krishtit.  Në meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi, apeloi për më shumë dashuri dhe shpresë tek të gjithë njerëzit. Të gjithë besimtarët e pranishëm në meshë, kanë përcjellë urimet për një vit më të mbarë. Krishtlindja është dhe dita që simbolizon lindjen e shpresës për njerëzimin, një shpresë që pritet të sjellë më shumë paqe e dashuri tek të gjithë.