Tiranë, 28 korrik 2014 – Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Fiter Bajramit. Kjo festë nisi që në orët e para të mëngjesit, përkatësisht rreth orës 6:23, me faljen e Fiter Bajramit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në një njoftim të drejtuar nga Komuniteti Mysliman, ceremonia e faljes për gratë është zhvilluar në rrugën “Myslym Shyri”. Apeli i myslimanëve në këtë ditë feste ka qenë; Ndërtimi i Xhamisë së Madhe. Gjatë fjalës, ata kanë kërkuar më shumë dinjitet nga strukturat shtetërore.
Në këtë ditë të shënuar të kalendarit islam besimtarët dhe krerët e Komunitetit Mysliman në Shqipëri kanë apeluar për ndërtimin e xhamisë së madhe. Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra i ka drejtuar një mesazh kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e xhamisë, duke shtuar se ka besim se qeveria do e marrë parasysh këtë kërkesë.
“Të vendoset në vend dinjiteti i myslimanëve. Kryeministri të na respektojë, të kemi vend për t’u falur. Kam besim te qeveria e kryeministri”-kështu u shpreh Myftiu i Tiranës.
Më tej ai shtoi se nuk ka më vend për premtime, ndaj duhet të plotësohet dinjiteti i myslimanëve. “Nuk jemi më pak dinjitoz se kushdo tjetër. Nuk ka më vend për premtime, të plotësohet dinjiteti ynë”-tha Gurra.
Fiter Bajrami është festa, e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Fiter Bajrami njihet si dita në të cilën myslimanët shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, për ta festuar së bashku këtë festë.
Fiter Bajrami në Durrës
Edhe në Durrës, me qindar dhe mijëra besimtarë myslimanë i janë drejtuar që në orët e para të mëngjesit xhamive të qytetit për të kryer faljen e Bajramit.
Pjesa më e madhe e besimtarëve u mblodhën në xhaminë kryesore, në ambientet e jashtme të së cilës u zhvilluan ritet fetare.
Pas faljes së Bajramit, besimtarët uruan njëri tjetrin për më shumë mirësi, harmoni, dashuri dhe mbarësi në familjet e tyre.
Fiter Bajrami është festa që kulmon agjërimin e muajit të Ramazanit, muaj gjatë të cilit besimtarët e devotshëm agjërojnë për të qenë më pranë Allahut dhe për të respektuar një nga 5 shtyllat bazë të besimit islam.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





