Sot nis muaji i madhërishëm i Ramazanit për besimtarët myslimanë të cilët agjërojnë. Gjatë këtij muaji të bekuar (30 ditë), besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga 5 kushtet e Islamit.

Një ditë më parë, Kreu i Komitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar besimtarët myslimanë për nisjen e muajit të Ramazanit dhe thekson që ky muaj të jetë muaji i faljes, muaji i begatisë, muaji mirëkuptimit të ndërsjellët me njëri-tjetrin. Spahiu fton besimtarët që të jenë më solidarë me familjet në nevojë, t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit në punë të mira.

Muaji i Ramazanit përfundon më 20 prill, ndërsa Nata e Kadrit këtë vit është në datën 17 prill. Falja e Bajramit në datë 21 prill pritet të bëhet edhe këtë vit në sheshin Skënderbej ku festa do të jetë e dyfishtë pasi Komuniteti Mysliman në Shqipëri feston 100-vjetorin e themelimit.

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor Islam, zgjat nga 29 ose 30 ditë dhe ku gjatë kësaj periudhe kohe besimtarit mysliman në nderim të krijuesit i duhet të argjërojë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke shmangur ushqimin, lëngjet dhe çdo sjellje negative të njeriut.

Ramazani konsiderohet si periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet. Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për t’u solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin me to. Gjatë Ramazanit, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira.