VLORË, 14 dhjetor 2013- Një ditë pasi në automjetin e tij ‘Peugeot’ u gjet rreth 200 gramë C4 që do të përdorej për një atentat të mundshëm kundra tij, Prefekti i Vlorës është paraqitur i qetë tek zona e Ujit të Ftohtë për të marrë pjesë në aksionin e shpërthimit të kompleksit ‘Jon’.
Nuk ka dashur të ketë sfond pallatin që do të shkatërrohet sepse sic ka theksuar ai ‘tashmë ajo është e shkuara dhe ne duhet ti kemi sytë vetëm tek e ardhmja”.
Në nje prononcim per News 24 , mbi ngjarjen e djeshme në ambientet e kryeministrisë ku në automjet policia zbuloi eksploziv me qëllim një atentat të mundshëm kundrejt tij, Dervishi tha se, gjen rastin që ditën e sotme të falenderojë të gjithë ata që shprehën solidaritet ndaj tij.
“Unë ju falënderoj për interesimin tuaj, shpreh mirënjohje për miqtë që më kanë shprehur solidaritet për ngjarjen që lidhen me personin tim, falenderoj kryeministrin, kolegët, ministra e deputetë që kanë qëndruar pranë meje. Unë jo pa qëllim, ju orientova se sapo vij nga një takim ku morën pjesë 50 ekspertë vendas e të huaj që shprehën intersin për konkursin për shëtitoren e Vlorës. Ky është një proces që vazhdon prej kohësh dhe vazhdon sipas planifikimit”.
I pyetur mbi komentin e tij sot rreth ngjarjes, Dervishi tha shkurt se cdo gjë ia lë në dorë organeve kompetente.
“Unë nuk kam koment për ngjarjen e djeshme dhe kam besim se prokuroria dhe institucionet do e zbardhin shumë shpejt. Kjo nuk është cështje replike por them se cdo institucion duhet të kryejë detyrën e tij”.
Kurse faktit nëse ai dje ai ndodhej ose jo në makinën në të cilën ishte vendosur eksploziv i telekomanduar për shpërthim, Dervishi tha se
“Unë kam në pronësi dy automjete të deklaruara. Dje makina drejtohej nga unë apo person tjetër, këto janë detaje t’ia lemë prokurorisë, është makinë personale, me targa të rregullta dhe për arsye se shtetin e kemi marrë të rrënuar përdorim dhe makinat tona personale. Dhe ditën e djeshme makina ka qenë në përdorim nga unë, ka një muaj që përdoret nga unë. Di të them vetëm kaq, unë ndihem mirë në Vlorë dhe në mes të vlonjatëve!”.





