Besnik Hasi është një ndër kandidaturat për të marrë drejtimin e Aston Villës në Premier League-n angleze. Lajmi bëhet i ditur nga prestigjiozja Daily Mail.
Tabloidi britanik bën të ditur në faqen e tij online se Besnik Hasi është shfaqur si një ndër kandidaturat surprizuese që po merren në konsideratë nga Aston Villa, me klubin e Premier League që pritet të zyrtarizojë divorcin me trajnerin aktual Remi Garde së shpejti. Emri i trajnerit Shqiptar që drejton Anderlechtin, bashkë me atë të ish-trajnerit të Leicester, Nigel Pearson janë më të preferuarit ndër kandidatët për të marrë drejtimin e Aston Villës që pas një sezoni katastrofik renditet në vendin e fundit të klasifikimit të Premier League me 16 pikë, 9 më pak se Newcastle i vendit të parafundit, duke qenë praktikisht me një këmbë në Championship, kategorinë e dytë të futbollit anglez kur skuadrës nga Birmingham i mbeten edhe 7 ndeshje për të luajtur.
Daily Mail bën të ditur se emri i Besnik Hasit i është propozuar drejtuesve të Aston Villa si një trajner me potencial të madh. E përditëshmja britanike shton se ish-qendërmbrojtësi i Kombëtares Shqiptare që në fundjavë ishte në stadium për derbin e Manchester përkrah Vincent Company është vetëm 44 vjeç, por ka ndërtuar shumë shpejt reputacionin e tij si një trajner që di të rrisë dhe zhvillojë futbollistët e rinj, duke shfaqur te Anderlecht aftësinë e tij për menaxhimin e skuadrës edhe pas shitjes së disa yjeve. Si trajner i Anderlechtit Hasi ka një përqindje prej 53% të ndeshjeve të fituara dhe emri i tij është ndër më të preferuarit për momentin në Villa Park.