15 janar 2015 –  Viti 2014 rezultoi shumë i suksesshëm për trajnerin e Anderlhetit, Besnik Hasi. Arritjeve të kampionëve të Belgjikës u shtohet edhe një çmim individual, pasi 43-vjeçari eshte shpallur trajneri më i mirë i vitit në Belgjikë, duke fituar kështu trofeun e parë personal në karrierë si trajner. Në votimin e bërë ku morën pjesë kapitenët dhe trajnerët e skuadrave të Ligës së parë belge, Hasi la pas trajnerin e Club Brugge, Michel Preud Homme dhe atë të Lokerenit, Peter Maes.

Hasi e mori drejtimin e Anderlechtit në muajin mars të 2014 dhe arriti që ta shpallte kampion skuadrën e tij edhe pse ishte 6 pikë pas vendit të parë. Megjithatë vec titullit kampion, 2014 për Hasin dhe Anderlechtin ka qenë e suksesshme edhe në Champions League, ku mori pjesë në fazën e grupeve, në atë më të fortin, e ku mundi të zërë vendin e 3-të duke vazhduar në 2015 në Europa League. Mbi te gjitha i paharrueshëm ishte barazimi në Londër ndaj Arsenalit 3-3.

Ky është një rezultat që ndoshta do të mbahet mend gjatë. 2014 ishte viti i parë si trajner për 43-vjeçarin nga Gjakova, një fillim shumë impresionues dhe gjasat janë që zhvillimet e tij në karrierën si trajner të jenë edhe më pozitive.