Mbështetës besnikë të presidentit të rrëzuar sirian, Bashar al Assad, kanë vrarë 14 trupa të Ministrisë së Brendshme të Sirisë në një pritë të ngritur në perëndim të vendit.
Autoritetet rebele të vendit deklaruan se 10 trupa të tjerë mbetën të plagosur në luftimet e verifikuara në portin mesdhetar Tartous, bastion i pakicës myslimane alavite të Assad
Luftimet në fjalë përbëjnë sfidën e parë direkte ndaj autoritetit të liderit de fakto të Sirisë, Ahmad al Sharaa.
Pushteti i Assad ra në duart e forcave rebele të udhëhequra nga lëvizja Hayat Tahrir al Sham, i drejtuar nga Al Shara, rreth 2 javë më parë.
Të enjten, forcat e sigurisë ndërmorën një operacion në provincën Tartous në përpjekje për të rivendosur sigurinë dhe stabilitetin për civilët.
Agjencia e lajmeve “Sana” raportoi se njësitë ushtarake neutralizuan një numër të madh militantësh të regjimit të Assad dhe janë në kërkim të atyre të mbetur.
Të dhëna të pakonfirmuara sugjerojnë se forcat e pushtetit të ri kishin rënë në pritë pasi ishin përpjekur të arrestonin një ish-oficer të regjimit, përgjegjës për rolin e tij në torturat në burgun famëkeq Sajdnaja, pranë kryeqytetit Damask.
Ish-fraksioni rebel që tani kontrollon Sirinë, dikur i konsideruar grup terrorist nga Perëndimi, po përpiqet të garantojë siguri dhe qëndrueshmëri në mbarë vendin.
Qytetarët po i drejtohen atij për të mbrojtur të drejtat nga një shumëllojshmëri kërcënimesh, si dhe bërjen e drejtësisë për ata që humbën familjarët gjatë diktaturës së Assad.