Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në Facebook njofton se ka marrë një kërcënim nga miq të afërt me kryeministrin Edi Rama.

Ai ka publikuar mesazhin kërcënues që siç thotë ai ka ardhur nga biznesmeni i njohur si “Beso i Tajvanit” me këtë përmbajtje.

“Beso i Tajvanit jam. Po si s’të vjen turp që ke 15 vjet që meresh me mua! Tani që je deputet i thjeshtë po e kuptoj që e ke personale. Dhe unë të garantoj që do ta bëj më shumë se personale. Tani do më njohësh” përfundon mesazhi që publikohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, në profilin e tij në Facebook.

Për këtë çështje reagoi dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili e cilësoi këtë si akt kriminal që i shpall luftë të hapur Partisë Demokratike.

Basha tha se Partia Demokratike e ngarkon kryeministrin Edi Rama me përgjegjësi politike dhe ligjore për këtë kërcënim.

“Kërcënimi mafioz i Sali Berishës nga Edi Rama përmes benjaminit të tij në afera korruptive dhe trafikun e naftës e të drogës ‘Beso i Tajvanit’, pas denoncimit me fakte dhe prova te aferave korruptive qe lidhin bashke këta të dy prej 15 vitesh, është një akt kriminal dhe shpallje e hapur lufte ndaj Partisë Demokratike, çdo demokrati dhe demokrate dhe çdo shqiptari e shqiptare që beson te transparenca, fjala e lirë dhe barazia para ligjit. I bëj me dije Edi Ramës se Partia Demokratike e mban atë politikisht, ligjërisht dhe personalisht përgjegjës për këtë kërcënim mafioz dhe se pasojat e këtij akti do të bien personalisht mbi të dhe skotën e tij te banditëve dhe te korruptuarve me të cilët sundon Shqipërinë edhe për pak kohë”, ka thënë Basha.

Kërcënimi sipas përfaqësuesve të opozitës vjen pas denoncimit të tyre për koncensionin që ka përfituar shoqëria Taivan Shpk për parkingun nëntokësor tek parku “Rinia”, që e ka cilësuar korruptiv dhe klientelist.

Postimi i Berishës në Facebook:

Edvin Kristaq Rama kërcënon me fallangat e tij të krimit apo me "çorapen" e Partisë!

Të dashur miq, dy ditë më pare unë denoncova grabitjen në prag të Vitit të Ri nga Edivin Kristaq Rama të Parkut Rinia të Tiranës duke i dhënë, në kundërshtim me çdo ligj, si koncesion Parkun për ndërtimin e një parkingu gjigand Besnikut të falimentuar apo siç thirret në gjuhën e vllazerisë "çorapja" së partisë.

Pse unë kam akuzuar direkt për këtë vjedhje?Unë kam akuzuar Ramët (Edvini dhe Olsin) së qëndrojnë pas Besit të falimentuar për këto arsye:

– në të vërtetë ky konçesion ka nisur në kohën kur Edi Rama ishte kryetar Bashkie dhe bleu me emrin e Besnikut apo "çorapes” së Partise (e di ai vet se pse e thërrasin edhe me këtë nofkë) mijëra metër katror tokë në parkun Rinia me çmimin qesharak 12 lekë metrin

-ditët e fundit të vitit që kaloi, për të bërë të mundur këtë aferë korruptive të tij, Edi Rama miratoi vendimin e qeverisë për dhënien me koncesion privat parqet 

-në kundërshtim flagrant me ligjin, Rama urdhëroi që si firmë për koncesionin të perdoret firma e falimentuar e "corapes" së partisë, me pasuri nën sekuestro për falimentim kurse i vellai i tij për drogë

– në kundershtim flagrant me ligjin Rama urdheroi që koncesioni i parkut dhe parkingut të jepen me ligjin 2006 dhe jo me ligjin e vitit 2014 pasi me kete te fundit procedura nuk mbyllej dot siç u mbyll me dt 31 dhjetor.

Pas këtij statusi, Edi Rama urdheron fallangat e tij të krimit, pikërisht personin që kur policia i arrestoi të vellane si megatrafikant Rama detyroi Saje qorrin t'u telefononte për ti siguruar se nuk e kishin nga ai arrestimin por nga SHISH dhe Prokuroria, të heqin çorapen nga koka dhe të nxjerrin në shesh fytyrën e vërtet të Edi Rames, të kërcënojnë në emër të tij sa vijon: "Beso i Tajvanit jam. Po si s’te vjen turp që ke 15 vjet qe meresh me mua! Tani që je deputet i thjeshtëe po e kuptoj që e ke personale. Dhe une të garantoj që do ta bëj më shumë se personale. Tani do më njofësh."

Me këte rast dua te garantoj Edvin Shullazin: kërcënimet në emer tënd dhe te gjitha çorapeve, maskave, koskave mafjoze, trafikantëve, vrasëve, pengmarrësve të Shqipërise jo që nuk do më pengojnë kurrë por vetëm se më shtojne vullnetin tim të hekurt për të të denoncuar publikisht aferat tuaja të pista, lidhjet tuaja primitive me krimin dhe mafien.

Unë këtë nuk e bëj kurrë se ti jë kundershtar politik por e bëj se ti ke vjedhur këto 25 vite shqiptarët më shumë se sa të gjithë zyrtarët shqiptar të marrë së bashku.

Ti je kryeministri i vetëm i planetit i njohur boterisht si Mr.20% kur ishe kryetar bashkie, kur u bëre kryeministër detyrove ndertuesit dhe bashkitë e mbarë Shqipërisë të të marrin firmën tënde per çdo pallat mbi 4 katësh në mënyrë që të merrje jo hyrjet por katet e tua.

Te je kryeministri i vetem i planetit, që i kapur nga importuesit e birrës, sjell në parlament ligjin për rritjen e akcizës së birres të prodhuar në vend krahasuar me të importit, ti jë kryeministri i vetëm i planetit që pasi unë kam denoncuar dy vjet më parë implikimin direkt të Olsit tënd në industrinë e bixhozit, ti sjell në parlament ligjin e dhënies së monopolit të kesaj industrie, vetkuptohet për qëllime familjare.

Në të gjitha aferat e pista të Beqeve të tu, ti je aksionisti kryesor ndaj dhe del në çdo rast në krah tëe tyre! Me këtë rast dua të të them se je absolutisht i pashpresë, drejtësia edhe vonon por ti dhe organizata jote kriminale nuk do ti shpetoni kurrë asaj! sb