Mjekeve, personelit mjekesor te mesem dhe te ulet,  ne shenje nderimi, mirenjohjeje dhe falenderimi, per kontributin dhe sakrificat e tyre te medha, ne perballimin dhe luften e eger  me Covid-19!…

Tregimi, eshte shkeputur nga libri i suksesshem me tregime dhe novela, “Nje nate  jete,” i mjekut dhe shkrimtarit te njohur Flamur Topi, botim i vitit 2009.

KIRURGU

Tregim për një ngjarje të vërtetë

Që prej dy orësh, doktor Hemi po bënte ç’ishte e mundur të shpëtonte prej kthetrave të vdekjes një fëmijë të rrëzuar nga kati i tretë i një godine në ndërtim… Djali kishte pësuar goditje të shumta e të rënda. Atë ditë të nxehtë Gushti, Hemi ishte kirurgu i vetëm në shërbim (kolegu po pushonte me të shoqen e fëmijët jashtë vendit) përndryshe, në atë operacion të vështirë, s’do të kishte ngurruar ta thërriste për ndihmë.

Ai bëri prerje, qepje e lidhje të shumta vazësh e indesh për të ndalur hemorragjinë e frikshme dhe, në një çast, qëndroi. Për të parë më mirë, drejtoi projektorin në atë pozicion që, fasha e përqendruar e dritës, të binte mbi shpretkën e djalit, prej nga, si prej një sfungjeri të nginjur, bulëzonin pareshtur pikëza gjaku.

– Zgjeroje më shumë! – iu drejtua asistentes, teksa ia mori vetë në dorë zgjeruesin metalik të indeve.

Kirurgu u përqendrua gjatë mbi organin e kuq në kaf, ndërsa tampononte pareshtur. Për fatin e keq të vogëlushit, shpretka qe dëmtuar rëndë në zona të ndryshme anatomike të saj dhe, doktor Hemit i duhej prerazi e pa humbur kohë të merrte një vendim delikat; ta hiqte apo jo shpretkën?! Ai mund edhe ta qepte aty-këtu, ta “arnonte”, siç shprehej figurshëm në kësi raste kolegu kirurg, por mund të ndodhte që, pas mbylljes së barkut, tinëzisht, pa u ndier, të rridhte pikë-pikë, pareshtur gjak, e fëmija të mos e mbërrinte dot agimin e nesërm…

– Përgatituni për heqjen! – iu drejtua i vendosur ekipit pas pak, ndërsa nxitoi të lidhë një arterie të dëmtuar.

Zilja e paradhomës së operacionit tringëlliu fort. Pushoi një çast të shkurtër, madje shumë të shkurtër e sërish ngulmoi gjatë zhurmshëm.

– Drita! Hape! Duhet të jetë yni!…

Infermierja e sallës së operacionit nxitoi drejt derës. Ashtu ishte vërtet! Një infermiere e repartit të kardiologjisë së spitalit, duke marrë frymë me zor nga të vrapuarit, e, ca më shumë, prej stresit që e kishte kapluar, këmbënguli të takonte kirurgun Hemi. Duhej t’i thoshte doemos diçka, shumë, shumë të rëndësishme…

Ndonëse flisnin me zë të ulët, u kuptua qartë se infermieret nuk po merreshin vesh me njëra-tjetrën. Infermierja e sallës së operacionit qe bërë barrikadë e pakapërcyeshme për të porsaardhurën. Asepsia*  është asepsi dhe një sallë operacioni nuk bën kurrsesi ta shkelë e marrë nëpër këmbë.

– Drita, po lërini llafet, të shkretën! Le të hyjë! Ta dëgjojmë si e ka hallin! – foli mjeku, megjithatë i përqendruar në përgatitjet e nevojshme për heqjen e organit.

Paksa e tronditur, ende e hutuar, për misionin e vështirë që i kishin ngarkuar, duke iu marrë fryma, infermierja e vjetër e kardiologjisë, iu afrua me drojë kirurgut.

– Hë ?! Si është puna? – pyeti kirurgu, pa e hequr vështrimin nga pamja romboide e përgjakur, që zbulonte në qendër të saj mbulesa e gjelbër e pacientit.

Infermierja e kardiologjisë nuk po mundej të shpjegohej. Kirurgu ktheu kokën nga ajo, pa arritur të kuptoje ngurrimin e stërzgjatur (tani vërtet për t’u shqetësuar) të infermieres. Në vend të përgjigjes, ajo i bëri një shenjë domethënëse, duke iu lutur të dëgjohej veçmas prej të tjerëve.

– Kaq sekret qenka?! – foli mjeku, deri diku i bezdisur, që po e shqetësonin në një moment delikat të ndërhyrjes kirurgjikale.

E megjithatë, nuk lëvizi nga pozicioni i tij. U mënjanua paksa dhe përkuli kokën për nga infermierja, si për të dëgjuar më mirë.

– Më falni! – gati i pëshpëriti ajo. Para një çerek ore, kanë sjellë në repartin tonë të kardiologjisë, djalin tuaj!…

– Djalin?! – hapi sytë, i tronditur, doktori.

– Po, po!  Djalin tuaj! Po luante futboll në oborrin e shkollës dhe papritur ka rënë përdhe, pa ndjenja…

– Si është tani? – pyeti plot ankth doktori.

– Humbet ndjenjat herë pas here! Kur vjen në vete, u kërkon juve! Babin! – thotë. Dua babin!…

– E pa doktor Tani?…

– Po, po! Ai më dërgoi!…

– Ç’thotë?

– Ka çrregullime të përçimit. Na tha, se ju e keni ditur më parë këtë gjë…

Vërtet ashtu qe! Ai e dinte. Djali vuante nga një bllok atrioventrikular dhe kolegët i kishin rekomanduar të vendoste një peismeiker të përkohshëm, deri në një sqarim të plotë të diagnozës. I zënë gjithnjë me punë dhe hallet e të tjerëve, doktor Hemi e kishte shtyrë me sot e me nesër ekzaminimin e rëndësishëm. Por javë më parë, e kish ndarë mendjen top! Ta zgjidhte atë hall të madh sa më shpejt të qe e mundur, ndoshta sapo kolegu të kthehej në punë pas pushimeve.

Kirurgu psherëtiu thellë, tërë dëshpërim. Iu duk vetja si i zënë në çark, befasisht. Nuk mund ta linte kurrsesi në mes operacionin, për asnjë shkak, për asnjë arsye!

– Do të vini doktor? – pyeti infermierja, duke e shikuar ngultaz, a thua se prej atij vështrimi do të varej edhe përgjigjja e Hemit.

– Jo! S’mund të vij tani! Nuk mund ta lë fëmijën që po operoj! Do të më ikte nga duart…

– Po djalit, si t’ia bëjmë ?!… Ju kërkon parreshtur, sa herë kthjellohet e vjen në vete…

– Qetësojeni! I thoni se babi shpejt do të vijë, se është këtu, në të njëjtën ndërtesë, se po operon një fëmijë si ai…

– Mirë! – foli me gjysmë zëri infermierja e, kokulur, me hapa të kujdesshëm, të pazhurmë, doli nga ajo sallë e heshtur operacioni, ku ndjehej era e gjakut, e barnave të narkozës dhe e kimikateve të ndryshme.

Ndihmësit vështruan tërë shqetësim kirurgun, që tani dukej më i zbehtë. Bulëza djerse i kishin veshur ballin e gjerë dhe befas frymëmarrja i qe rënduar dhe bërë e zhurmshme, si të vuante nga astma.

– Më sillni stolin! – foli me gjysmë zëri.

Nxituan t’ia sillnin dhe ai u ul, i këputur. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, kërkoi një gotë ujë për të pirë dhe një orë më pas, t’i masnin tensionin (dhembjet e kokës, që i nisën papritur, po e çmendnin) ndërsa ai vazhdonte të operonte…

Oh! Kirurgu ofshau thellë, si të mos ngopej dot me frymë. Njëqind metra më tutje, në të njëjtën ndërtesë, shtrirë në krevat, i pandjenjë, në rrezik të madh jete, qe i biri dhe ai s’mund të bënte asgjë për të, asgjë! I dukej vetja si i lidhur, duar e këmbë, me zinxhirë te padukshëm, pas asaj tryeze të gjatë e të ngushte të operacionit. Po ai donte ta shihte të birin! Donte t’i gjendej pranë, ta ndiqte sëmundjen e rëndë sekondë më sekondë, ta përkëdhelte, përqafonte, puthte, t’i fliste me fjalë të ngrohta zemre, t’ia shtrëngonte lehtësisht dorën e vogël, t’i maste pulsin pareshtur, minutë për minutë!…

Ah! S’mund të bënte asgjë nga këto! Vështroi një çast të shkurtër fëmijën që operonte. Ishte vërsnik me të birin dhe ai, kirurgu, duhej ta shpëtonte doemos! Me çdo kusht! Çdo largim, qoftë edhe pak minutash, i kërcënonte jetën… Dhe, jashtë sallës së operacionit, prindër si ai, vëllezër e motra, miq e shokë, prisnin pas dere, tërë ankth.

– Doktor! Hidhu pakëz nga djali!… Derisa të vish, parametrat jetikë i mbajmë ne!… – iu drejtua, gati me të lutur, asistentja.

– Jo, Zana! Jo! Kthimin, do ta kisha më të vështirë! Edhe atje, doktor Tani, si unë këtu, do të përpiqet, do të luftojë për jetën e tim biri! Do të luftojë!…

Zëri iu mek, iu zvarr, iu trash befas, iu deformua, si zëri i një pllake të vjetër gramafoni ngecur në vend dhe mendja iu mor. U ul përsëri në stol.

– Gërshërët! – iu drejtua instrumentistes së sallës së operacionit. Pincat!… Ketgutin…

Pas pesë orësh, i lodhur, i rraskapitur, i dërrmuar, me një ndjenjë të vakët lehtësimi, hoqi më në fund dorezat e kirurgut dhe, ende i veshur me përparësen e jeshiltë, (pa u kujtuar ta heqë) llangosur aty-këtu me njollëza gjaku, mori drejtimin për nga dalja e sallës së operacionit.

Priste të ndeshte, si zakonisht, të afërmit e pacientit të operuar: prindërit, vëllezërit, motrat… Shokë, miq, por… O Zot ! Iu zbulua një pamje krejt e ndryshme…

E prisnin një grup kolegësh! Te gjithë kokulur, mbytur në dëshpërim…

Zemra gati i çau gjoksin mes për mes dhe u flakërit tej tutje, jashtë! Fryma iu mor.

Si një somnambul, mend duke u rrëzuar, eci midis kolegëve, që hapnin udhë në heshtje të pikëlluar. Ndjeu t’i përmbyteshin sytë prej lotëve.

– Me fal, bir ! – foli me vete tërë dëshpërim e dhembje të thellë shpirti! Nuk munda të të gjendesha pranë! S’t’u gjenda kur më kërkove! Do të më falësh bir, se isha në punë !… Në punë, bir! S’e lija dot! Nuk e lija !… Operoja një djalë si ti… Të vogël si ti…

Me hapa të rëndë plumb, kaptoi shkallët e ulëta të repartit të kardiologjisë si të kish ngjitur Himalajet…

Atë ditë të nxehtë Gushti kish fituar një jetë fëmije!… Kish humbur një jetë djali…

Flamur TOPI

Tiranë më 24 shtator 2006