Mjeshtri i madh dhe artisti i pazëvendësueshëm, Mirush Kabashi u përcoll për në banesën e fundit mesditën e së mërkurës, pas mbajtjes së homazheve në Muzeun Kombëtar në Tiranë.
Aktori i mirënjohur dhe gjeniu i skenës u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të së martës (5 Dhjetor) në një spital privat, ku ishte shtruar pas komplikacioneve shëndetësore.
Mirush Kabashi luftonte me sëmundjen e rëndë prej 5 vitesh, por nuk ka arritur dot ta fitojë betejën, duke ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Nga Muzeu Kombëtar ku u mbajtën homazhet në nder të tij, vajza e artistit të ndjerë Mendi Kabashi, u shpreh se i ati nuk e priste vdekjen dhe se kjo ishte beteja e parë që aktori ka humbur në jetë. Ajo rrëfeu se ende e ndjen kudo praninë e tij dhe se e ka të vështirë të pranojë ikjen e tij.
“Është akoma e pabesueshme për ne. Ai ishte mësuar t’i fitonte të gjithë betejat e tij, por nuk ia doli me këtë të fundit. E ndjej kudo akoma, e kam të vështirë ta pranoj ikjen e tij, e di që nuk do iki sepse ka lënë një vepër të madhe. I jemi shumë mirënjohës të gjithëve, sidomos publikut të thjeshtë që ai e donte shumë edhe i vlerësonte njerëzit. Na u desh ta ndanim midis publikut të thjeshtë, skenës, artit të tij që nuk ishte më profesion, por jeta e tij. Edhe në shtëpi përsëriste gjithë kohës duke përsëritur tekstet e tij.
Shkëputej, ishte aty me ne, na dedikonte kohë patjetër, me mamin ka qenë gjithmonë shumë afër, nuk ishte njeriu i kafeneve e lokaleve, ishte njeriu i fjalëve të pakta, përzgjidhte ku shkonte dhe e dilte shumë në skenë sepse nuk donte të bëhej bajat. Nuk ngjitej në çdo skenë, përveçse atyre që i përkonin vlerave dhe parimeve të tij. Kishte parime të forta, idealist, më i fortë se ideali vetë.
Edhe për mua, për shumë kohë, ishte e vështirë të kuptoja se si është e mundur që njeriu arrin të bëjë një kompromis diku, dikur në një situatë, por ai jo. I vetmi kompromis që ka bërë në jetë, karakterin e hekurt që kishte, thyhej përpara time bije si gjysh Mirushi ishte tjetër gjë, me ne e mbajti karakterin e hekurt, megjithëse kishim biseda e ishte sportist, flisnim si shokë, na bisedonte dhe shkëmbenim mendime. Unë jetoj larg dhe bisedat telefonike kemi konsumuar”, tha vajza e Mirush Kabashit.
Mendi Kabashi tregoi se aktori së fundmi kishte bërë një kurë, por pati një komlikim dhe ndërroi jetë.
Ajo rrëfeu se dy javët e fundit i kanë kaluar në spital, por theksoi se Mirush Kabashi nuk e priste vdekjen pavarësisht se kishte disa vite që ishte në betejë me sëmundjen.
“E vërteta është që ai nuk e mendonte se do vinte kaq shpejt kjo ditë, për ne ishte e papritur edhe pse ai vuante nga një sëmundje e rëndë për 5 vite.
Luftoi, por kjo me vdekjen erdhi papritur, edhe pse ne e dinim që do të vinte, nuk je asnjëherë i përgatitur për këtë ditë.
Pati projekte të lënë në mes, erdhi nga një kurë që bëri tani së fundmi dhe për fat të keq një komplkim ndodhi dhe vdiq në spital.
Kam pasur shumë biseda me të, dy javët e fundit i kam kaluar me të, për fat të keq jo ashtu siç deshëm ne ta shihnim, ishim në spital. Ai me të vërtetë e vlerësonte privatësinë e tij dhe e kishte të shenjtë.
Mësimi më i madh që na ka dhënë është të luftos fort, të jesh i drejtë dhe të mos bësh compromise në jetë, ai ishte i madh dhe përkushtohej në gjërat më të vogla me pasionin më të madh. Ishte njeri i madh”, tregoi ajo mes lotësh.