23 prill 2014 Betejat në natyrë kthehen në shumicën e rasteve në luftë për jetë a vdekje dhe sipas ligjit të xhunglës ato fitohen nga më i forti. Një betejë e tillë është kapur nga fotografja Trix Jonker në një park natyral në Afrikën e jugut. Një derr i egër afrikan doli ballë për ballë me një luan dhe u kthye në gjahun e tij. Pavarësisht rezistencës së bërë nga derri i egër, mbreti i xhunglës doli fitimtar në këtë përballje. Fotot e mrekullueshme tregojnë forcën e jashtëzakonshme të luanit, por edhe përpjekjet e derrit të egër për të luftuar kundër kundërshtarit të tij, disa herë më të madh në trup sesa ai vetë.  

Fotografja Trix Jonker thotë për ‘Daily Mail’: “Pashë që derri i egër po shkonte drejt terrenit të luanëve. Pa dashje zgjoi një luaneshë, por shpëtoi duke u larguar menjëherë. Kur mendova se gjithçka kishte përfunduar, derri i egër bëri një xhiro rrethore dhe përfundoi në të njëjtin vend të rrezikshëm. Kësaj radhe, aty ishte një luan në pritje… Në fillim u ngrit një pluhur i madh dhe nuk po arrija të shihja gjë, por më pas, kur gjithçka u qartësua, luani e kishte vënë përfund derrin e egër. Ishte e mahnitshme ajo që arrita të shihja dhe të kapja në kamera.”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/