Nga Ndue Dedaj

Vetëm para pak kohësh ndoqëm përmes ekranit betimin e 61 kryetarëve të bashkive, duke nënshkruar betimin e tyre solemnisht para këshilltarëve dhe publikut. Betohet Presidenti i Republikës, kryeparlamentari, kryeministri, ministrat, deputetët, gjykatësit, këshilltarët, oficerët, policët, ushtarët. Nga profesionistët betohet vetëm mjeku, sipas parimeve të Hipokratit se do t’i shërbejë me përkushtim e humanizëm njeriut. Po mësuesi? Ai ende nuk betohet. Një kolege që ka shërbyer për 30 vjet në arsimin shqiptar në pozicione të ndryshme e prej disa vitesh gjendet në Amerikë, na shkruan se dhe te ne mësuesi mund e duhet të betohet. Ajo madje sjell rastin e mësuesve të Singaporit, ku studentët që përgatiten si mësues në mbarim të studimeve bëjnë betimin, çka besojmë se ndodh dhe në vende të tjera. Ata betohen se do t’i përmbahen misionit të mësuesisë për të bërë më të mirën për nxënësit të tyre, se do t’iu tregojnë atyre udhën se si të jenë qytetarë të mirë dhe të dobishëm të vendit, se do të vazhdojnë të mësojnë dhe ta përçojnë dashurinë për dijen te nxënësit e tyre etj. Edhe mësuesit tanë të karrierës i dorëzohen “urdhrit” të mësuesisë për gjithë jetën, ani se pa një betim zyrtar. Nuk është fjala për një akt formal, përkundrazi, nuk është diçka e lehtë, se a mund të betohen ata që kanë blerë diploma në kioskat universitare? Apo ata pedagogë që janë përlyer me “dhurata” studentësh? Mbi të gjitha është dinjiteti profesional, që mësimdhënësit e të gjitha niveleve nuk e kanë pasur të lehtë të ruajnë nga politika, nga njëra reformë arsimore në tjetrën. E vërteta është se kemi një themel të shëndoshë arsimi, qysh me shkollat e kohës së Rilindjes dhe ato të mëvonshme. Ka mbetur në histori reforma arsimore e ish-ministrit vizionar të Arsimit, Mirash Ivanaj në vitin 1933, ku mësuesit i jepej një pozitë e lakmueshme në shoqëri, duke i mëshuar kryesisht formatit të tij profesional, çka shihet dhe në relacionet zyrtare të inspektimit shtetëror të kohës. Edhe betimi i mësuesit nuk është një gjë e re për shkollën shqiptare. Në bazë të kujtimeve të mësuesve veteranë, në kohën e Mbretërisë mësuesi betohej ditën e parë të fillimit të punës, si edukator dhe nëpunës i shtetit. Statusi i tij ishte si i çdo zyrtari tjetër të dorës së parë. Duke qenë se numri i arsimtarëve në shkallë vendi ishte i paktë, emërimi dhe transferimi i tyre bëhej drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit. Personaliteti i mësuesit nis e dyzohet pikërisht atëherë kur qeveria moniste, gjysmëshekulli më parë, ndërmori “revolucionarizmin e mëtejshëm të shkollës”, duke futur trekëndëshin mësim-punë prodhuese-stërvitje ushtarake, pasi tashmë nga mësuesi kërkohej të ishte edhe masovik e propagandist politik në fshat etj., pa mohuar rolin e tij emancipues për disa ndryshime social-kulturore në bashkësinë fshatare jo pak të prapambetur, qendrat e reja të punës dhe qytete. Dy ishin anët e medaljes së asaj reforme me emrin buçitës “revolucionarizim”, shikimi pozitiv nga ana e administratës së arsimit, që besonte se kishte bërë një hop të madh përpara dhe vështrimi kritik i atyre mbi të cilët binin pasojat e reformës, që si atëherë, si edhe sot, lëçitet si “shpëtimtare” e arsimit dhe jo plugu i radhës. Teksa shtypi dhe radio në vitin 1968 flisnin për arritjet e revolucionarizimit të shkollës, nga ana tjetër shteti vigjilonte, mblidhte informacion nga kanalet e fshehta rreth të pakënaqurve prej tij. Me firmën e tij, ministri i Brendshëm i paraqiste një raport special Ramiz Alisë, sekretarit për ideologjinë në KQ mbi kundërshtitë që kishte hasur poshtë në bazë në të gjithë vendin, ajo që po ndodhte në shkolla. Raportohej për “elementë armiq”, si njëri në Rrëshen që kishte thënë: “Sot ka vetëm politikë në shkollë dhe jo mësim me cilësi, ka rënë personaliteti i mësuesit dhe zot në shkollë është rinia. Shkollat më parë ishin më të forta dhe më të mira se universitetet sot”. (G. Sh., dosier, 23 gusht 2015). Shteti nuk i mblidhte këto si oponencë, por për të goditur armikun e klasës. Arsimtarët e moshuar kujtojnë se me atë rast u bë spastrimi i shkollës nga mësuesit dhe pedagogët me biografi të keqe, nga “borgjezët” si kundërshtarë përherë potentë. PP tashmë e ndjente veten të zonjën për të përballuar situatën e brendshme. Edhe në këtë kohë mësuesi “betohej”, si çdo kuadër tjetër, se për interesat e Partisë dhe popullit ishte i gatshëm të bënte çdo sakrificë. Ky lloj betimi nuk bëhej me ceremoni, ishte thjesht një frazë e thatë që shëtiste nëpër dokumentet zyrtare për shkollim e punësim, thënë ndryshe, nuk ishte diçka që buronte nga profesionalizmi, por më tepër një formulë rutinë që e sugjeronin shefat e kuadrit për të treguar kinse besnikërinë e nëpunësit ndaj regjimit.

***

Revolucionarizimi i shkollës u ndërpre në vitet 1990, por mësuesi nuk shpëtoi nga politika, edhe sot stafi drejtues i arsimit parauniversitar ndryshon me rotacionin politik. Dhe deri sa kjo të ndodhë, betimi i mësuesit, megjithëse i domosdoshëm, nuk mund të jetë në standarde vetëm profesionale. Edhe mandatin e kaluar qeverisës, edhe këtë mandat, drejtuesit e arsimit kanë dashur të heqin drejtues shkollash të paaftë apo konfliktualë, por nuk ka qenë e mundur, pasi ata kishin bekimin e Partisë për të qëndruar në detyrë. Sidoqoftë, na duhet të integrohemi me shkollën europiane, edhe pse të vonuar e jo në rrjedhën e duhur prej kohësh. Kur ne nisnim aksionin masiv për revolucionarizimin e shkollës, formulohej për herë të parë betimi i mësuesit nga pedagogu zviceran Robert Dottrens për nevojat e UNESCO-s (1966), “himn” që prej gjysmëshekulli e përdorin institucione arsimore e vendore gjithandej, përfshirë dhe në Kosovë. Teksti i tij është i thjeshtë, siç është vetë mësuesi i tillë: “Do ta kryej detyrimin tim me ndërgjegje dhe krenari. Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do t’i harroj, ku për fatin e tyre edhe vetë mbaj një pjesë të përgjegjësisë. Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit. Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi. Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjithave të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim. Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nder”. Ky është njëherësh dhe kodi etik i tij në shkollë, aq më tepër sot kur shkolla ka dhe një kartë të performancës së saj. Kthehemi te letra e koleges nga Amerika, e cila mendon se ky betim mund të nisë me shtatorin. “Betimin mund ta bëjnë jo vetëm mësuesit e rinj, por edhe ata që aktualisht japin mësim në shkolla. Do të përbënte risi në Shqipëri, duke i dhënë vërtet një imazh tjetër punës së mësuesit, krahas të tjerave sigurisht”, shkruan ajo, duke mos dashur t’i përmendet emri. Kjo dhe do ta mbronte mësuesin nga përdorimi politik, ashtu siç politika nuk iu afrohet gjykatësve, policëve etj. Mësuesi bëhet i paprekshëm në detyrë nga partitë që lypin militantë, tjetër gjë është marrja e tij me politikë. Por dhe ana tjetër, nëse mësuesi e pedagogu nuk i përmbahet betimit të bërë, por bën politikë me nxënësit e studentët, është një arsye e mjaftueshme për ta larguar nga puna.

***

Shumë vende të botës po përpiqen si ta ndryshojnë shkollën në mënyrë të tillë që ajo t’u përgjigjet kërkesave globale. Kudo po kryhen reforma në arsim për t’iu përgjigjur kërkesave të një shoqërie që ndryshon dita-ditës. Dhe ai që duhet të ndryshojë i pari është mësuesi, për t’iu përgjigjur ritmeve të zhvillimit, ndaj figura e tij nuk duhet lejuar të zbehet nga asgjë, përkundrazi, i duhen krijuar dhe më shumë mundësi për shpalimin e profesionalizmit të tij. Modelet i kemi. Në Finlandë, profesioni i mësuesit është ndër më të kërkuarit dhe mësuesit janë shtresa intelektuale më e admiruar. Shqiptarët që kanë shkuar në emigrim mund të kontribuojnë duke sjellë përvojat e vendeve ku jetojnë. Sollëm shembullin e Singaporit, ku me siguri kanë vajtur dhe nga Shqipëria, por nganjëherë shqiptarët siç shkojnë, vijnë. E thamë më sipër, betimi i mësuesve atje është identitet. “Ne, mësuesit e Singaporit, betohemi se do t’i përmbahemi misionit tonë… Ne jemi të përkushtuar për zhvillimin e gjithanshëm të nxënësve tanë duke i trajtuar ata si individë të veçantë me nevoja dhe mënyra të nxëni të veçanta…”. Nuk është synimi ynë ta sjellim të plotë këtu atë, por të bën përshtypje një frazë tepër kompakte: “Ne mësuesit do të tregojmë kurajë dhe integritet moral”. Për këtë na duhet betimi dhe ne mësuesve në Shqipëri! Për më shumë lartësim profesional e intelektual.

Ndoshta, Ministria e Arsimit, me fillimin e vitit të ri shkollor, ka menduar dhe për Betimin e Mësuesit, për ta vënë atë në zbatim edhe në shkollat shqiptare.

12 shtator 2015, gazeta “Shqip”