Teuta e ka nisur me një barazim pa gola, në “Niko Dovana”, kampionatin e 78-të kombëtar të futbollit. Durrsakët kanë frenuar Tiranën e përforcimeve të ndjeshme, duke treguar se do të jenë edhe këtë sezon një skuadër kompetitive.

Trajneri italian, Çezare Bexhi, duke folur pas ndeshjes, nënvizoi: “Kjo pikë na kënaq. E dimë se ka shumë për të punuar. Këtë ndeshje kishim shumë vështirësi për ta përgatitur, por djemtë kishin një sjellje të mirë në fushë, u impenjuan. Edhe publiku na mbështeti për 90 minuta. Jam i bindur që këto djem kanë shumë për të dhënë. Objektivat? Më duhet të shoh shumë ndeshje për të kuptuar si është kampionati këtu, ndaj është e vështirë të flas konkretisht. Duam të luajmë mirë, kemi një skuadër të re, ndaj duam të biem në sy.”

I pyetur, në lidhje me objektivin, ai shprehet se është herët për të folur. “Eshtë herët për të folur, por kemi skuadër të re, që kërkon të japë maksimumin në çdo ndeshje. Kam drejtuar disa skuadra në Itali, ndoshta në të ardhmen mund të ndihmoj ndonjë lojtar të talentuar për të shkuar atje, por për momentin duhet të punojmë shumë”-mbylli intervistën e tij, tekniku Beggi.