SHBA – Beyonce ka rrëfyer për herë të parë momentin më të trishtueshëm të jetës së saj, humbjen e fëmijës së parë. 31 vjeçarja tregon se për herë të parë ka mbetur shtatzënë 2 vjet më parë. Në “Life Is But a Dream”, dokumentari për të në HBO, këngëtarja e muzikës pop thotë se ka arritur të dëgjojë tingullin e zemrës së fëmijës që mbante në bark dhe ajo ka qenë për të muzika më e bukur në botë.

Por fatkeqësisht ajo e humbi fëmijën në javët e para të shtatzanisë. Ndërsa i ishte nënshtruar një kontrolli të zakonshëm tek mjeku nuk kishte mundur të dëgjonte më zemrën e fëmijës që mbantë në bark.  

Këngëtarja e njohur, që u martua në prill të 2008 me Jay Z dhe tashmë është nënë e vajzës Blue Ivy, rrëfen se muzika ka qenë gjëja që e ka ndihmuar të kalojë dhimbjen.

“Shkova në studio dhe shkrova këngën më të trishtuar të jetës sime. Ishte kënga e parë që shkruaja për albumin e ri. Ajo ishte terapia ime më e mirë, për të lënë pas periudhën më të trishtuar që kam kaluar në jetë”,- thotë këngëtarja.

Për të shtatzania është si të rënit në dashuri. “Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë se ç’do të thotë të kesh një fëmijë që rritet në barkun tënd, ti do që të ulërasësh dhe t’u rrëfesh të gjithëve për të”, thotë Beyonce.