Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut në mesazhin me rastin e festës së Kurban Bajramit ka bërë thirrje për paqe, solidaritet, mirëkuptim e tolerancë mes bashkësive etnike e fetare në vend si, alternativë e vetme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit në përgjithësi.
Në mesazhin e BFI-së thuhet se “Kurban Bajrami është festë e dashurisë dhe e mirëkuptimit mes besimtarëve dhe një rasti i mirë për unitetin e popullit”, por institucioni islam shpreh shqetësimin për siç thuhet gjendjen e rëndë politike e ekonomike që po godet çdo ditë e më shumë popullatën e Maqedonisë së Veriut.
“Këtë festë po e presim në një atmosferë zymtësie që po e kaplon vendin tonë e që detyrimisht po reflektohet edhe tek besimtarët. Shqetësimet dhe paqartësitë politike po ndikojnë në jetën tonë. Kriminaliteti dhe korrupsioni po ndjellin pasiguri tek njeriu i rëndomtë. Gjendja ekonomike po vështirësohet dhe varfëria po godet pikërisht ata që janë në gjendje më të rëndë. Si pasojë e këtij ambienti rinia jonë po largohet nga vendi në kërkim të një jete më të mirë”…
“Druajmë se Bajramet tona në të ardhmen do t’i festojmë me më pak bijë e bijat tonë”, ka thënë Shaban Sulejmani, përfaqësues i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut në mesazhin me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Edhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe të partive politike, kanë uruar besimtarët duke bërë thirrje për unitet e tolerancë mes njerëzve pa dallim përkatësinë etnike. /Rel/