TIRANE, 29 qershor 2013 –  Në një prononcim për "GSH" ish-anëtari i kryesisë dhe ish-deputet i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj konfirmoi dje se është i gatshëm të kandidojë për postin e kryetarit të ri të selisë blu. Ai përmend se në vitin 2009, në Kuvendin e fundit të demokratëve, dorëzoi një kërkesë, përmes së cilës kërkoi zgjedhje përmes anëtarësisë, duke aplikuar procedurën e votimit "një anëtar-një votë". "Ftesa e PD-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së përmes parimit 'një anëtar-një votë', natyrisht hapi rrugën për kandidimin e përfaqësuesve, intelektualëve të PD-së. Kjo kërkesë është paraqitur nga unë në Kuvendin e fundit të PD-së në vitin 2009 dhe më vjen mirë që është marrë parasysh nga kryesia e PD-së. Gjatë këtyre ditëve kam pasur shumë telefonata e mesazhe nga ish-themelues dhe anëtarë të PD-së, për të kandiduar për kreun e Partisë Demokratike, kërkesë të cilën unë po e shqyrtoj me seriozitet të madh. Në kushtet e vështira në të cilat ndodhet sot PD-ja dhe demokratët, dëshiroj të jap kontributin tim dhe të marr përgjegjësitë e mia. Në kohën dhe momentin e duhur do të marr vendimin e duhur, brenda afatit të përcaktuar nga kryesia e Partisë Demokratike", – deklaroi Biberaj. 

REAGIMET 

Dy nënkryetarët e PD-së Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode nuk do të garojnë për kreun e ri të PDsë, ndërkohë që Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi shprehen se është herët për të folur, por Edi Paloka thotë se mbështetësit e tij i kanë kërkuar që të kandidojë dhe do ta mendojë një gjë të tillë deri ditën e premte kur hapet gara zyrtarisht. Nënkryetarja demokrate Jozefina Topalli sqaroi dje mediat se nuk ka qenë asnjëherë ambicie e saj posti i kryetarit të partisë teksa vlerëson bashkëpunimin me liderin Sali Berisha.

"S'do të kandidoj për kryetare të PD, nuk ka qenë ambicia ime. Jam krenare që kam punuar me Sali Berishën. Berisha, arkitekt i Shqipërisë moderne", – u shpreh Topalli.

Po kështu, edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ridvan Bode, që mban njëkohësisht dhe postin e Ministrit të Financave, konfirmoi se do jetë në funksion të konsolidimit të lidershipit të ri të kësaj partie, duke përjashtuar kështu mundësinë e kandidimit të tij për kreun e PD.

"Unë kam 16 vjet që jam sekretar i përgjithshëm në PD, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Sali Berishës, ka qenë një kënaqësi dhe fat i madh për mua që kam bashkëpunuar me të në ditë të mira e të këqija. Do jem në funksion të konsolidimit të një lidershipi të ri të PD që do të konfigurohet nga këto zgjedhje, të cilat do të jenë të përgjithshme për të gjithë anëtarët e PD", – u shpreh Bode.

Kurse kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha tha se do të mendohet nëse do të hyjë apo jo në garë. "Të gjithë kandidatët potenciale do të kenë mundësi të shprehen. Do të mendohem", – deklaroi Basha.

Edhe Sokol Olldashi u shpreh se: "Është herët për të qenë kandidat për kryetar partie".

Kurse anëtari i kryesisë Edi Paloka tha në një prononcim për "GSH" se kandidimin ia kanë kërkuar mbështetësit e tij dhe këtë gjë do ta mendojë deri ditën e premte kur bëhet zyrtarizimi i kandidatëve. "Shumë militantë të PD-së po ma kërkojnë të kandidoj. Po të zësh vendin që deri sot e ka mbajtur një burrë si Sali Berisha është peshë shumë e madhe. Sidoqoftë PD-ja ka nevojë sot që të bashkojë të gjithë e sidomos të afrojë ata qindra militantë të zhgënjyer e të pakënaqur që në një farë mënyre ishin një nga faktorët e humbjes. Ka nevojë për dikë që të drejtojë një opozitë të fortë në kushtet kur kemi pak numra në Parlament dhe sidomos për dikë që ta çojë PD-në drejt fitores. Unë për vete kam kohë dhe do të mendohem deri të hënën", – u shpreh Paloka.

Kurse nënkryetari demokrat Astrit Patozi duket se e ka marrë me sportivitet teksa iu përgjigj gazetarëve: "Do të iki të përpunoj programin tani".