KUKES – Gjatë një takimi që nënkryetari i Frymës së Re Demokratike Aleksandër Biberaj dhe sekretari organizativ i Sali Shehu zhvilluan me strukturat e kësaj force politike në qarkun e Kukësit u diskutua mbi problematikat me të cilat qytetarët e rrethit verior përballen çdo ditë.

Mungesa e furnizimit me energji elektrike, vështirësitë e shumta në lëvizjen e njerëzve dhe ecurinë normale të jetesës në këto ditë të ftohta dimri ishin epiqendra e shqetësimeve që qytetarët kuksianë shprehën në takimin me përfaqësuesit e Frymës së Re Demokratike.

Nënkryetari i FRD-së Biberaj theksoi gjatë takimit se qeveria aktuale me indiferentizmin e saj ka braktisur totalisht zonat veri-lindore. “Përgjegjës për këtë është vetë kryeministri Berisha, – tha Biberaj.

Më pas ai shtoi se FRD po harton programe zhvillimi për ekonominë e zonave veri-lindore dhe do të ndjekë politika ekonomike për të ulur papunësinë në këtë qark të harruar nga qeveria aktuale.