TIRANE- Nëpërmjet një konference për shtyp, numri dy i FRD-së, Aleksandër Biberaj bën një përmbledhje të vizitës së tij në SHBA, duke përcjellë për publikun edhe mesazhet që ka shkëmbyer me partnerët amerikanë. 

“Pjesëmarrja në Ceremoninë e Betimit të Presidentit natyrisht që është një kënaqësi e vaçantë, por kjo ftesë padyshim është një nder dhe respekt për çdo shqiptar. Është mrekulli kur shikon se si feston një popull i lirë në demokraci për presidentin e vendit të vet të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe me votë popullore, model i cili duhet të aplikohet edhe në Shqipëri. I uroj suksese Presidentit Obama në mandatin e dytë presidencial, mandat i cili – siç citon edhe vetë Presidenti Obama – do të jetë një mandat sfidash të mëtejshmë për SHBA-në dhe popullin amerikan”, thotë Biberaj. 

Sipas tij, në të gjitha takimet që ka pasur i është ngritur shqetësimi për ecurinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe fryma nacionaliste e ndezur kohët e fundit në vend. 

“Te të gjitha takimet, shqetësimi kryesor i partnerëve amerikanë, ishin zgjedhjet e 23 qershorit, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme, si kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për konsolidimin e demokracisë, të shtetit ligjor si dhe të integrimit të vendit. Partnerët amerikanë u shprehën se do të monitorojnë nga afër zhvillimet politike në Shqipëri si dhe gjithë procesin zgjedhor. Qëndrimi ynë si FRD është thirrja për kryeministrin dhe maxhorancën për të hequr dorë nga praktikat dhe skenarët e manipulimit të zgjedhjeve, pasi në rast të kundërt, do të mbajnë përgjegjësi para kombit, përgjegjësi që do të jenë jo vetëm politike, por edhe administrative dhe ligjore. Praktikat e manipulimit të zgjedhjeve na largojnë nga partnerët tanë strategjikë perëndimorë dhe na çojnë drejt lindjes. 

“Shqetësim tjetër kryesor i të gjitha takimeve kishte të bënte me retorikën nacionaliste që ka filluar të përdoret gjatë kohëve të fundit nga një pjesë e politikës shqiptare, përfshirë edhe politikën zyrtare. Partnerët amerikanë – siç u shprehën – nuk mund të pajtohen me këtë retorikë, ndërkohë që promovojnë, motivojnë dhe mbështesin dialogun politik për zgjidhjen e të gjithë problemeve që ka sot Ballkani”, ka thënë Biberaj.