Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u hap në 10 dhjetor 1920 në Tiranë. Po pavarësisht faktit se biblioteka e parë shtetërore u hap relativisht vonë, tradita bibliotekare shqiptare është shumë më e hershme. Fondi i librave të bibliotekës shtetërore u vendos në fillim pranë Ministrisë së Arsimit. Në kohën e themelimit të saj bëhej fjalë për diçka tepër modeste pasi siç dëshmon Karl Gurakuqi, i përfshirë atë kohë në organizimin e bibliotekës, vetë Ministria e Arsimit, e cila e administronte, ndodhej në një shtëpi përdhese me katër dhoma. Në njërën prej tyre ishte vendosur biblioteka. Pas një viti u gjet një banesë tjetër, një nga banesat shtetërore, shtëpia e Selim Strazimirit në rrugën e Postës, pastaj u transferua në banesën e shtetëzuar të Abdi Toptanit deri kur u vendos në ato që edhe sot quhen Sarajet e Toptanasve. Në vitin 1967, ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës ku gjendet dhe sot. Fondi i parë i saj u krijua falë titujve dhe ekzemplarëve të bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, i krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917. Biblioteka e “Komisisë letrare” drejtohej nga shkrimtari dhe publicisti Hil Mosi, që luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të bibliotekave, pasi ishte i pari që futi konceptin e kopjes së detyruar.
Gjithsesi dëshmi të shumta vërtetojnë se gjatë Mesjetës në oborret e princërve shqiptarë funksiononin kancelari në të tri gjuhët diturore të kontinentit: latinisht, greqisht dhe gjuhën sllave e pranë tyre edhe bibliotekat përkatëse. Pikërisht në Shkodër, në atë kohë ishte i përqendruar numri më i madh i bibliotekave publike. Duke iu referuar dokumenteve të mbërritura deri në ditët tona bibliotekat publike të Shkodrës janë hapur që në shekullin e XVII-të. Kështu biblioteka Bogdani i përket vitit 1683, ajo e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit u hap në vitin 1750. Ajo ka qenë shumë e pasur me dorëshkrime në gjuhën orientale dhe ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve të huaj. Vitit 1834 i përket biblioteka e Vakëfit, në 1858-ën u hap biblioteka e Etërve Jezuitë, 1875-ën Biblioteka e Françeskanëve, 1899-ën ajo e Shoqërisë “Bashkimi” etj. Në këto biblioteka kanë shërbyer albanologë nga më të shquarit si Hil Mosi, Zef Valentini, Gjergj Fishta, Hamdi Bushati, Kolë Kamzi etj.
Ndërkohë studiues të ndryshëm mbështesin tezën se biblioteka publike kanë ekzistuar që në kohën e ilirëve. Në vitet e para të funksionimit të BKSh-së u bënë përpjekje për pasurimin e fondit libror si dhe për ta ngritur bibliotekën në stadin e një institucioni kombëtar. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea. Në momentin e përurimit, në vitin 1922 ajo numëronte rreth 6.000 vëllime, ndërkohë që në vitin 1947 Biblioteka kishte rreth 100.000 njësi. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës të asaj kohe. Fondi i saj vazhdoi të rritej vit pas viti, falë kjo dhe politikave të ndjekura nga regjimi i kohës.
Me një dekret që mban datën 31.05.1948, "Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare", të gjitha shtypshkronjat e vendit detyroheshin t’i dërgonin falas kësaj biblioteke 5 kopje nga çdo botim i tyre. Nga institucion në vartësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Biblioteka Kombëtare ka aktualisht në fondin e saj më shumë se 1.000.000 njësi. Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbën një pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e të kulturës europiane. Fondi i Arkivit përfshin botime me vlera të veçanta për pasurinë e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e parë në gjuhën shqipe (shek.XVI) dhe duke vazhduar deri në ditët tona. Në fondin e Antikuarit ruhen botime të shekujve XV-XVIII, si dhe inkunabula. Fondi i dorëshkrimeve përmban dorëshkrime në gjuhët orientale, si dhe një numër të vogël në gjuhët perëndimore dhe në shqip. Këto u përkasin shekujve XV-XX. Kjo pjesë fondi llogaritet me vlerë të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare, por edhe në kontekstin mesdhetar e atë europian. Aktualisht ai përfshin vepra në arabisht, në turqisht, në persisht dhe në dy ose tri gjuhë orientale njëherësh. Këto dorëshkrime kanë përmbajtje fetare, historike, gjuhësore, letrare dhe shkencore. Në fondin e albano-balkanologjisë ruhen të gjitha botimet shqipe, si dhe ato të huaja, që flasin për Shqipërinë, shqiptarët dhe popujt e ndryshëm të Ballkanit, që trajtojnë historinë, gjuhën, folklorin, kulturën e tyre.
Sot qendra e studimeve albanologjike është përqendruar në shtetin shqiptar dhe literatura bazë për këto studime ndodhet në këtë bibliotekë. BKSh numëron çdo vit rreth 7.000 anëtarë dhe 90.000 frekuentues. Ajo qarkullon mbi 100.000 materiale bibliotekare në vit. Vend të veçantë në veprimtarinë e BKSh, sidomos pas viteve '90, zënë marrëdhëniet me publikun. Ajo organizon kolokiume shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ekspozita, promovime botimesh me rëndësi kombëtare, konferenca me albano-balkanologë të ftuar nga jashtë etj.