Presidenti i SHBA-së Joe Biden foli me telefon të enjten me homologun e tij meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, i cili më herët tha se do të diskutonin mbi emigracionin.

Biseda erdhi mes shqetësimeve rreth rritjes së flukseve kufitare dhe problemeve të mundshme në tregti.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se thirrja ishte bërë pa dhënë detaje të mëtejshme. Dhjetra sindikata të mëdha të fermave amerikane i kërkuan administratës të mërkurën të rihapë dy linja hekurudhore në kufirin Teksas-Meksikë për të rihapur rrugët tregtare që janë mbyllur për shkak të rritjes së flukseve të imigracionit. Shtëpia e Bardhë u përgjigj se po punon me Meksikën për të zgjidhur çështjet që çuan në mbylljen e dy linjave hekurudhore.

López Obrador tha në konferencën e përditshme për shtyp se pranon se ishte Biden ai që kërkoi komunikimin mes tyre. Kur u pyet se çfarë do të diskutonin, ai u përgjigj: “Mendoj për emigracionin. Të shohim se çfarë do të sugjerojë”.

Biden, i cili po kërkon rizgjedhjen në zgjedhjet e nëntorit 2024, është nën presion të madh për të kufizuar numrin e emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin ilegalisht nga Meksika.