Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën, është arritur përparim historik dhe se liderët e Kinës dhe Rusisë kanë bërë gabim të madh që nuk kanë marrë pjesë në organizimin e mbajtur në Glasgou.

Duke folur në një konferencë, pas ditës së dytë të Samitit, Biden ka theksuar përpjekjet e reja për të ndalur shpyllëzimin deri në fund të dekadës, për të zvogëluar emetimet e metanit, për investim në teknologji të re dhe për të shpenzuar para në infrastrukturë të energjisë së pastër.

“Nuk mund të mendoj për dy ditë në të cilat është arritur më shumë sesa në këto dy ditë”, ka thënë ai.

Biden ka krahasuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë çuar përpara disa iniciativa në Samit, me ato të Rusisë dhe Kinës, liderët e të cilave nuk kanë qenë pjesë e Samitit.

Kina është emetuesja më e madhe e gazrave serrë, të cilët janë përgjegjës për ndryshime klimatike.

Rusia është e katërta në listën e emetuesve më të mëdhenj.

“Ne jemi shfaqur dhe përmes shfaqjes kemi pasur ndikim të madh në mënyrën sesi pjesa tjetër e botës po i sheh Shtetet e Bashkuara dhe rolin e tyre udhëheqës”, ka thënë ai.

Presidenti amerikan ka shtuar se mungesa e presidentit kinez, Xi Jingping në Samit, përbën “gabim të madh”.

Ngrohja globale është “çështje gjigante dhe ata janë shmangur. Si kanë mundur ta bëjnë këtë derisa pretendojnë se kanë mantel udhëheqës?” ka thënë ai.

“E njëjta gjë shkon edhe për Rusinë dhe Putinin”, ka vazhduar ai.